Zbatimi i Sanksioneve

Të gjithë operatorët ekonomikë që ushtrojnë veprimtari në Republikën e Kosovës janë të obliguar të respektojnë dhe zbatojnë vendimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për sanksionet ndërkombëtare, si dhe aktet e tjera të zbatueshme nga kjo fushë.

Detyrimet e operatorëve ekonomikë

Përpara realizimit të një importi, eksporti ose transaksioni tjetër, rekomandohet që operatorët ekonomikë të kujdesen ndër të tjera për sa vijon:
Pas identifikimit të regjimit përkatës të sanksioneve, operatori ekonomik duhet të verifikojë nëse personi, subjekti, malli ose transaksioni është i përfshirë në listat e sanksioneve ose në anekset e akteve ligjore përkatëse. Ky verifikim duhet të kryhet duke konsultuar versionet më të fundit të akteve dhe listave zyrtare të sanksioneve, pasi ato përditësohen rregullisht me shtimin, ndryshimin ose heqjen e personave, entiteteve dhe mallrave të sanksionuara. Përgjegjësia për respektimin e sanksioneve nuk kufizohet vetëm në momentin e zhdoganimit të mallrave. Operatorët ekonomikë duhet të sigurohen që gjatë gjithë marrëdhënies tregtare, duke filluar nga lidhja e kontratës, blerja ose shitja e mallrave, pagesat, transporti, importi, eksporti dhe tranziti, të mos përfshihen persona, entitete, mallra, shërbime ose transaksione që janë objekt i masave kufizuese.
Operatorët ekonomikë duhet të ushtrojnë kujdes të veçantë sidomos kur:
 partneri tregtar, prodhuesi ose furnizuesi ndodhet në një shtet ose territor ndaj të cilit zbatohen sanksione;
 mallrat mund të jenë objekt i ndalimeve ose kufizimeve sipas legjislacionit në fuqi;
 destinacioni përfundimtar, përdoruesi i fundit ose qëllimi i përdorimit të mallrave nuk është i qartë;
 në transaksion përdoren ndërmjetës ose kompani të regjistruara në vende të treta pa një arsyetim të qartë ekonomik;
 pagesat kryhen nga persona ose kompani që nuk janë palë në kontratën tregtare;
 ekzistojnë mospërputhje në dokumentacionin tregtar ose transportues;
 ekziston dyshimi se një subjekt është në pronësi ose kontrollohet drejtpërdrejt apo tërthorazi nga persona ose entitete të sanksionuara.
Operatorët ekonomikë duhet të ruajnë dokumentacionin përkatës, të bashkëpunojnë me autoritetet kompetente dhe të ofrojnë çdo informacion të nevojshëm gjatë procedurave të kontrollit doganor.

Identifikimi i sanksioneve

Për të përmbushur detyrimet ligjore dhe për të minimizuar rrezikun e shkeljes së sanksioneve ndërkombëtare, operatorëve ekonomikë u rekomandohet të kryejnë verifikimet e mëposhtme përpara realizimit të çdo importi, eksporti, tranziti ose transaksioni tjetër ndërkombëtar.

Fillimisht përcaktohemi nëse transaksioni lidhet me një shtet, territor, person fizik ose juridik, organizatë, sektor ekonomik ose kategori mallrash ndaj të cilave zbatohen masa kufizuese. Në këtë fazë duhet të identifikohet origjina e mallrave, vendi i destinacionit, palët e përfshira në transaksion, si dhe përdoruesi përfundimtar i mallrave.
Konsultimi i legjislacionit të zbatueshëm - Pasi të jetë identifikuar transaksioni, malli ose subjekti është objekt i ndonjë mase kufizuese,  përveç vendimeve të QRK që përmbajnë sanksione duhet të shqyrtohen edhe aktet e zbatueshme ndërkombëtare të specifikuara në ato vendime siç janë:
 Rregulloret e Bashkimit Evropian 
 Vendimet e Politikës së Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë (CFSP/PJSP);
 Urdhrat Ekzekutivë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës;
 Aktet zbatuese, udhëzimet dhe dokumentet interpretuese të OFAC-it.

Rekomandohet përdorimi i versioneve të konsoliduara të akteve, pasi ato përfshijnë të gjitha ndryshimet dhe plotësimet në fuqi.

Verifikimi i listave të sanksioneve - Verifikimi duhet të kryhet duke konsultuar listat e sanksioneve respektivisht anekset përkatëse, të cilat përmbajnë personat, entitetet, mallrat dhe teknologjitë e sanksionuara.

Në veçanti, duhet të verifikohet nëse janë të përfshirë në listat e sanksioneve:
 personi fizik;
 personi juridik;
 pronari përfitues (beneficial owner);
 prodhuesi;
 eksportuesi, importuesi ose ndërmjetësi;
 mjeti i transportit, kur është i aplikueshëm;
 malli, teknologjia ose kodi tarifor (HS/CN).

Nëse konstatohet ose ekziston dyshimi se një person, subjekt ose mall është objekt i sanksioneve, operatori ekonomik duhet të ndërpresë procedimin e transaksionit dhe të kërkojë sqarime nga autoritetet kompetente përpara ndërmarrjes së veprimeve të mëtejshme.

Analiza e pronësisë dhe kontrollit - Përveç verifikimit të drejtpërdrejtë të listave të sanksioneve (mallra dhe subjekte), operatorët ekonomikë duhet të kujdesen dhe të analizojnë edhe strukturën e pronësisë dhe kontrollit të subjekteve me të cilat bashkëpunojnë. Në praktikë, një kompani mund të mos jetë e listuar nominalisht, por mund të jetë në pronësi ose kontroll të drejtpërdrejtë apo të tërthortë nga persona ose entitete të sanksionuara.

Në këtë proces duhet të merren parasysh kriteret e pronësisë dhe kontrollit të zhvilluara në praktikën e Bashkimit Evropian si dhe “rregulli i 50%” ("50 Percent Rule") të OFAC me udhëzimet përkatëse.

Përjashtimet - Disa regjime të sanksioneve parashohin përjashtime që lejojnë kryerjen e transaksioneve të caktuara, me kusht që të plotësohen kriteret ligjore ose të merret autorizimi nga autoriteti kompetent. Përpara realizimit të një transaksioni, operatori ekonomik duhet të verifikojë nëse ekziston ndonjë përjashtim i zbatueshëm dhe, sipas rastit, të sigurojë autorizimin përkatës.

Burimet zyrtare për verifikimin e sanksioneve

Zbatimi i sanksioneve është përgjegjësi e çdo operatori ekonomik. Kryerja e verifikimeve të nevojshme përpara çdo transaksioni ndihmon në mbrojtjen e operatorëve ekonomikë nga rreziqet ligjore, financiare dhe të reputacionit, si dhe kontribuon në zbatimin efektiv të sanksioneve në Republikën e Kosovës. Për të siguruar pajtueshmërinë me sanksionet ndërkombëtare, operatorëve ekonomikë u rekomandohet të përdorin burime zyrtare dhe të përditësuara nga si vijon.

Republika e Kosovës
 Gazeta Zyrtare e Republikës së Kosovës -Vendimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës (VQRK) për sanksione 
 Ueb-faqja e Doganës së Kosovës - Sanksionet (zbatimi i sanksioneve).

Bashkimi Evropian
 EUR-Lex Platform - Rregulloret e BE-së, respektivisht versionet e konsoliduara të rregulloreve dhe vendimeve të BE-së.
 EU Sanctions Map - portal interaktiv mbi regjimet e sanksioneve të Bashkimit Evropian.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës
 OFAC Sanctions List Search - Udhëzimet e OFAC-it mbi zbatimin e sanksioneve, verifikimi i personave dhe entiteteve të sanksionuara, përfshirë  rregullin e 50% ("50 Percent Rule).