Pronësia Intelektuale
Çka është pronësia intelektuale?
Pronësia Intelektuale sikurse definohet nga Organizata Botërore e Pronës Intelektuale i referohet krijimeve të mendjes, siç janë shpikjet, veprat letrare dhe artistike, dizajnet dhe simbolet, emrat dhe imazhet të përdorura në tregti.
Çka konsiderohet mall i falsifikuar?
Mallrat e falsifikuar janë ato mallra që përmbajnë në mënyrë të paautorizuar markën tregtare, patentën, dizajnin, ose ndonjë të drejtë tjetër të pronësisë industriale të regjistruar në Agjencinë për Pronësi Industriale në Kosovë në mallra që janë identike me ato për të cilat janë mbrojtur të drejtat specifike. Ndërsa, mallrat pirate konsiderohen mallrat e riprodhuara pa autorizim të veprave të mbrojtura me të drejtën e autorit siç është për shembull kopjimi ilegal i CD-ve, DVD-ve, programeve kompjuterike etj.
Cilat janë produktet me te prekura nga falsifikimi dhe pirateria?
Të gjitha produktet e të gjithë sektorëve ekonomik mund të preken nga falsifikim si:
– veshmbathjet, parfumet, produktet kozmetike, telefonat mobil;
– CD, DVD, programet kompjuterike;
– medikamentet, pijet e ndryshme dhe produktet ushqimore;
– pjesët rezerve për automobila dhe pajisje elektrike etj.
Çfarë pasojash sjellin mallrat e falsifikuara?
Pasojat për biznesin e ligjshëm
Mallrat e falsifikuara shkaktojnë dëme te konsiderueshme për bizneset e ligjshme ne vend. Ndërmarrje të ndryshme bëjnë investime serioze për prezantimin sa me te mire te produkteve te tyre. Falsifikimi i produkteve të tyre, të cilat mund të jenë të mbrojtura me markë tregtare, patentë ose dizajn industrial prish imazhin e tyre duke zvogëluar gjithashtu besimin që konsumatori ka ndaj atij produkti. Edhe distributorët e autorizuar bëjnë investime të konsiderueshme në ofrimin e produkteve të ndryshme në tregun e brendshëm, duke mbajtur cilësinë e tyre. Prandaj, edhe ndërmarrjet e tilla , pësojnë humbje te mëdha nga falsifikimi i produkteve për te cilat ata kane përfaqësinë ekskluzive.
Pasojat për konsumatorët
Mallrat e falsifikuara mashtrojnë konsumatorin në lidhje me cilësinë e produktit dhe shpeshherë janë edhe të rrezikshme për shëndetin dhe sigurinë e tyre. Kjo vlen për një gamë të gjerë produktesh, përfshirë produktet ushqimore, medikamentet, produktet kozmetike dhe të tjera.
Si mund t’i dallojmë mallrat e falsifikuara nga ato origjinale?
Disa nga indikatorët qe ju mundësojnë ta dalloni një produkt te falsifikuar nga ai origjinal janë :
– çmimi është shumë më i lirë;
– kualiteti dhe paketimi nuk janë të nivelit të njëjtë,
– teksti përmban gabime gjuhësore,
– shpesh nuk ka etiketa dalluese dhe shenja siguruese etj.
Cili është roli i Doganës për mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale?
Siç dihet Dogana e Kosovës në kuadër të misionit fiskal, ekonomik dhe mbrojtjes, përmes instrumenteve ligjore ka për detyrë edhe mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale, me qëllim të mbrojtjes së biznesit të ligjshëm nga konkurrenca e pandershme.
Zhvillimi dinamik i tregtisë dhe ekonomisë në vend, nënshkrimi i marrëveshjeve të shumta dypalëshe dhe shumëpalëshe, shkëmbimi i informatave me vendet në rajon, ofrimi i lehtësirave tregtare dhe doganore, kanë krijuar parakushtet për integrimin dhe aderimin e vendit tonë në institucionet relevante ndërkombëtare. E gjithë kjo në të njëjtën kohë paraqet sfidë për Doganën e Kosovës, e cila gjithashtu është zotuar që të:
– mbrojë bizneset, të cilët janë mbajtës dhe/ose përdorues të një të drejte të pronësisë intelektuale, nga konkurrenca e pandershme;
– mbrojë konsumatorin dhe shëndetin publik, nga mallra të falsifikuara/piratë për pasojat që shkaktojnë;
– ndalojë humbjet e mundshme të të ardhurave në buxhetin e shtetit tonë, të cilat rrjedhin si pasojë e importimit apo vendosjes në treg të mallrave që cenojnë një të drejtë të pronësisë intelektuale.
Dogana e Kosovës bazuar në Ligjin nr. 06-L/015/2018 dhe Udhëzimin Administrativ nr. 053/2018, ka për detyrë, mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale për mallrat që hyjnë në/ose dalin nga territori i Kosovës, me kërkesë të bartësve të së drejtës/përfaqësuesve ose “ex officio”, dhe administrimin e kërkesave për veprim në kuadër të mbrojtjes së pronësisë intelektuale.