Regjimet e sanksioneve
Regjimet e Sanksioneve të Zbatuara përmes Vendimeve të QRK-së
Në vijim kemi paraqitur regjimet kryesore të sanksioneve ndërkombëtare që zbatohen në Republikën e Kosovës, të organizuara sipas shtetit, subjektit ose situatës përkatëse. Për secilin regjim janë identifikuar aktet bazike të Bashkimit Evropian, përkatësisht rregulloret e Këshillit të BE-së dhe vendimet bazike të Politikës së Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë (CFSP), të cilat përbëjnë bazën juridike për vendosjen dhe zbatimin e masave kufizuese. Këto akte përfshijnë regjimet e sanksioneve ndaj shteteve, organizatave terroriste, individëve, entiteteve dhe aktiviteteve që cenojnë paqen, sigurinë ndërkombëtare, të drejtat e njeriut ose rendin ndërkombëtar.
Listën e regjimeve, përmbajtjen dhe aktet sanksionuese përkatëse (të plotësuara dhe ndryshuara) të zbatueshme nga Republika e Kosovës e gjeni këtu.
Vendimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për zbatimin e sanksioneve ndërkombëtare (2014 e në vijim) dhe përmbajtja e tyre
Që nga viti 2014, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar një sërë vendimesh për zbatimin e sanksioneve ndërkombëtare, duke harmonizuar politikën shtetërore me masat kufizuese të Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Tabela në vijim paraqet në mënyrë kronologjike vendimet kryesore të Qeverisë, vitin e miratimit, numrin e vendimit dhe objektin e sanksioneve të inkorporuara. Vërehet një zgjerim i vazhdueshëm i fushëveprimit të vendimeve, nga regjime që synonin subjekte apo situata të veçanta, drejt vendimeve më gjithëpërfshirëse që përfshijnë një numër të madh regjimesh sanksionuese që përditësohen me ndryshimet e akteve ndërkombëtare dhe VQRK.
Listën e vendimeve të QRK-së për sanksione dhe përmbajtjen e tyre e gjeni këtu.
Në vendimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës parashihet klauzola sipas së cilës të gjitha llojet e sanksioneve, emrat e individëve, entiteteve dhe mallrave/produkteve të sanksionuara, të përcaktuara në aktet ligjore të Këshillit të Bashkimit Evropian, SHBA-së dhe Këshillit të Sigurimit të OKB-së, së bashku me anekset dhe të gjitha ndryshimet e tyre të miratuara, konsiderohen pjesë përbërëse e vendimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Konsultimi i akteve sanksionuese
Gjatë zbatimit praktik duhet të konsultohen njëkohësisht si vendimi përkatës i Qeverisë së Republikës së Kosovës, ashtu edhe akti ndërkombëtar në të cilin ai mbështetet.
Për zbatim sa më të lehtë dhe të ligjshëm të sanksioneve ndërkombëtare, institucionet dhe subjektet përgjegjëse duhet të konsultojnë gjithmonë versionet më të fundit të akteve ligjore dhe listave të sanksioneve, duke i kërkuar sipas numrit të rregullores ose aktit tjetër bazik (p.sh. Regulation (EU) No 269/2014 ose Council Decision 2014/145/CFSP, Urdhërit Ekzekutiv të Presidentit të SHBA-së apo rezolutës së KS të OKB), me të gjitha ndryshimet dhe plotësimet përkatëse.