Sanksionet

Sanksionet- Informacion i përgjithshëm

Kjo faqe dhe rubrikat përkatëse ofrojnë informacion të përgjithshëm mbi sanksionet ndërkombëtare që zbatohen në Republikën e Kosovës dhe ka për qëllim informimin e operatorëve ekonomikë, bizneseve, deklaruesve doganor, transportuesve, agjentëve doganor dhe publikut të gjerë lidhur me masat kufizuese që aplikohen gjatë importit, eksportit dhe tranzitit të mallrave.
Republika e Kosovës zbaton sanksione ndërkombëtare në përputhje me legjislacionin kombëtar dhe obligimet e saj ndërkombëtare. Sanksionet zbatohen përmes vendimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës (VQRK) dhe akteve të tjera të autoriteteve kompetente, duke inkorporuar në to:
Regjimet e sanksioneve të Bashkimit Evropian (BE);
Regjimet e sanksioneve dhe Urdhrat Ekzekutivë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (Departamenti i Thesarit – OFAC);
Rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB);
Akte të tjera ndërkombëtare që zbatohen në Republikën e Kosovës në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Dogana e Kosovës është autoriteti kompetent për zbatimin e sanksioneve në import, eksport dhe tranzit të mallrave. Në kuadër të kompetencave të saj, Dogana kryen analiza të rrezikut, verifikon mallrat, subjektet dhe transaksionet që mund të jenë objekt i sanksioneve, ndërmerr masat e nevojshme për ndalimin ose kufizimin e qarkullimit të mallrave kur kërkohet me ligj, si dhe bashkëpunon me institucionet kompetente për zbatimin efektiv të sanksioneve.
Në rastet kur ekziston dyshimi për shkelje ose ka tentativë për shmangie të sanksioneve ndërkombëtare (circumvention), Dogana ndërmerr veprimet e parashikuara me legjislacionin në fuqi dhe i referon rastet tek autoritetet kompetente për trajtim të mëtejmë.

Përmbajtja e sanksioneve

Aktet ligjore ndërkombëtare dhe vendimet në fuqi të Qeverisë së Republikës së Kosovës (VQRK) përmbajnë masa kufizuese të ndryshme, të cilat mund të përfshijnë, ndër të tjera:
Ngrirjen e aseteve - ndalimin e vënies në dispozicion të fondeve ose burimeve ekonomike për personat dhe entitetet e listuara;
Kufizime financiare - ndalimin e transaksioneve financiare, kredive, investimeve ose shërbimeve bankare me persona ose subjekte të caktuara;
Kufizime tregtare - ndalimin ose kufizimin e importit, eksportit dhe tranzitit të mallrave, përfshirë mallrat me përdorim të dyfishtë (dual-use), mallrat strategjike, teknologjinë, artikujt e luksit, lëndët e para dhe kategori të tjera të përcaktuara me aktet përkatëse;
Kufizime në transport - ndalimin ose kufizimin e hyrjes, përdorimit të hapësirës ajrore, tranzitit rrugor ose shërbimeve të tjera të transportit për mjete ose operatorë të caktuar; dhe,
Masa të tjera kufizuese, sipas regjimit përkatës të sanksioneve.

Të gjitha sanksionet / masat kufizuese, listat e individëve, entiteteve, organizatave, mjeteve të transportit dhe mallrave të sanksionuara, si dhe ndryshimet e tyre të mëvonshme, të përcaktuara në aktet ligjore të Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që janë të përfshira në vendimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, konsiderohen  pjesë përbërëse e regjimit të sanksioneve që zbatohet në Republikën e Kosovës.
Për informacione më të detajuara mbi regjimet e sanksioneve, listat e akteve në fuqi, mënyrën e identifikimit të mallrave dhe subjekteve të sanksionuara, detyrimet e operatorëve ekonomikë, procedurat e raportimit të shkeljeve, pyetjet më të shpeshta dhe institucionet përgjegjëse për zbatim, etj., mund t’iu referoheni rubrikave përkatëse të kësaj faqeje.