Dogana e Kosovës inauguron skanerin e dhuruar nga Qeveria e SHBA-së
Dogana e Kosovës sot inauguroi zyrtarisht skanerin e dhuruar nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me vlerë afër 3 milion dollarë amerikanë.
Ceremonia e prerjes së shiritit u mbajt në prani të Ministrit të Financave, Ministrit të Punëve të Brendshme, Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, të Ngarkuarës me Punë të Ambasadës së SHBA-së, si dhe zyrtarëve të lartë doganorë dhe policorë.
Ky donacion përforcon kapacitetet operative të Doganës dhe Policisë së Kosovës në menaxhimin e rrezikut dhe sigurinë kufitare, veçanërisht në një kontekst të ndjeshëm të sigurisë në rajonin tonë. Skaneri rrit aftësinë për të identifikuar mallra dhe veprimtari të paligjshme, duke garantuar njëkohësisht rrjedhë të sigurt dhe efikase të tregtisë legjitime.
Gjatë ceremonisë së përurimit u theksua se Dogana e Kosovës ka dëshmuar në vazhdimësi rezultate të qëndrueshme, duke dhënë një kontribut të çmuar në mbrojtjen e sigurisë kombëtare, në parandalimin e kontrabandës dhe krimit të organizuar, si dhe në mbledhjen e të hyrave për buxhetin e shtetit.
U theksua gjithashtu roli i rëndësishëm i partnerëve ndërkombëtarë, përfshirë Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian, Britanisë së Madhe, Gjermaninë dhe vende të tjera mike, të cilët kanë kontribuar në mënyrë të vazhdueshme në mbështetjen e përpjekjeve të Kosovës për forcimin e sundimit të ligjit, sigurisë dhe efikasitetit institucional, si shteti më i ri në Evropë.
Skaneri i inauguruar sot, së bashku me skanerët e planifikuar nga Bashkimi Evropian, Gjermania dhe ato të planifikuara nga Qeveria e Kosovës, përmes financimit nga Banka Botërore, përfaqësojnë iniciativën për një forcim strategjik të kapaciteteve ekzistuese të autoriteteve kufitare të Kosovës dhe një investim të rëndësishëm për përballimin e sfidave të ardhshme në fushën e sigurisë dhe tregtisë.
Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar për të mbrojtur kufijtë e vendit, për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe për të ofruar shërbime efikase për ekonominë dhe tregtinë legjitime.