• Zyrtar kontaktues për parandalim të konfliktit të interesit: Gyltene Syla: +383 (0)3820039025
  • Zyrtari për trajtimin e rasteve të sinjalizuesve: Selime Selmani: +383 (0)3820039119
  • Zyrtar për komunikim dhe qasje në dokumente zyrtare: Adriatik Stavileci : +383 (0)3820039017
SQ SR EN
Webmail
Stema e Kosovës Logo e Doganës
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve

DOGANA E KOSOVËS

Lajmet Artikulli

22/01/2026

Dogana e Kosovës inauguron skanerin e dhuruar nga Qeveria e SHBA-së

Dogana e Kosovës sot inauguroi zyrtarisht skanerin e dhuruar nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me vlerë afër 3 milion dollarë amerikanë.
Ceremonia e prerjes së shiritit u mbajt në prani të Ministrit të Financave, Ministrit të Punëve të Brendshme, Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, të Ngarkuarës me Punë të Ambasadës së SHBA-së, si dhe zyrtarëve të lartë doganorë dhe policorë.
Ky donacion përforcon kapacitetet operative të Doganës dhe Policisë së Kosovës në menaxhimin e rrezikut dhe sigurinë kufitare, veçanërisht në një kontekst të ndjeshëm të sigurisë në rajonin tonë. Skaneri rrit aftësinë për të identifikuar mallra dhe veprimtari të paligjshme, duke garantuar njëkohësisht rrjedhë të sigurt dhe efikase të tregtisë legjitime.
Gjatë ceremonisë së përurimit u theksua se Dogana e Kosovës ka dëshmuar në vazhdimësi rezultate të qëndrueshme, duke dhënë një kontribut të çmuar në mbrojtjen e sigurisë kombëtare, në parandalimin e kontrabandës dhe krimit të organizuar, si dhe në mbledhjen e të hyrave për buxhetin e shtetit.
U theksua gjithashtu roli i rëndësishëm i partnerëve ndërkombëtarë, përfshirë Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian, Britanisë së Madhe, Gjermaninë dhe vende të tjera mike, të cilët kanë kontribuar në mënyrë të vazhdueshme në mbështetjen e përpjekjeve të Kosovës për forcimin e sundimit të ligjit, sigurisë dhe efikasitetit institucional, si shteti më i ri në Evropë.
Skaneri i inauguruar sot, së bashku me skanerët e planifikuar nga Bashkimi Evropian, Gjermania dhe ato të planifikuara nga Qeveria e Kosovës, përmes financimit nga Banka Botërore, përfaqësojnë iniciativën për një forcim strategjik të kapaciteteve ekzistuese të autoriteteve kufitare të Kosovës dhe një investim të rëndësishëm për përballimin e sfidave të ardhshme në fushën e sigurisë dhe tregtisë.
Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar për të mbrojtur kufijtë e vendit, për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe për të ofruar shërbime efikase për ekonominë dhe tregtinë legjitime.

  • Shpërndaje:

Lexo lajme tjera:

Dogana e Kosovës vlerësohet për rezultate të qëndrueshme dhe reforma të suksesshme në Raportin e Komisionit Evropian 2025

Dogana e Kosovës vlerësohet për rezultate të qëndrueshme dhe reforma të suksesshme në Raportin e Komisionit Evropian 2025

Prishtinë 5 nëntor 2025, Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën për vlerëson progresin e Doganës së Kosovës në fusha të rëndësishme, përfshirë: zgjerimin e numrit të terminaleve publike doganore, uljen dhe heqjen e tarifave në terminale private, rritjen e të hyrave krahasuar me vitin paraprak si rezultat i luftimit efikas të ekonomisë jo-formale, luftën kundër mashtrimeve doganore, forcimin e bashkëpunimit institucional dhe ndërkombëtar, zbatimin e masave për mbrojtjen e pronësisë intelektuale, përdorimin e teknologjisë së avancuar dhe inteligjencës artificiale në menaxhimin e rrezikut, si dhe rekrutimin e suksesshëm të stafit të ri që ka forcuar kapacitetet administrative dhe profesionale në organizatë. 

Ky progres është arritur me përkrahjen e Qeverisë dhe bashkëpunimin me partnerët institucional dhe ndërkombëtarë, përfshirë Zyren e BE-së, Ambasadën e SHBA-së, Ambasadën Britanike, Qeverinë Gjermane dhe programet tjera relevante me punën e Doganës.

Fushat kryesore të përparimit të evidentuara në raport:

Rritje e ndjeshme e të hyrave doganore, me mbi 170 milionë euro të hyra shtesë gjatë vitit 2024, si rezultat i luftës efektive kundër mashtrimeve doganore dhe forcimit të integritetit institucional.
Zgjerimi i numrit të terminaleve publike dhe heqja e plotë e tarifave të shërbimit në shumicën absolute të pikave kryesore të zhdoganimit, që ka mundësuar lehtësim të ndjeshëm të tregtisë dhe transparencë më të lartë.
Bashkëpunim i fuqizuar ndërinstitucional dhe ndërkombëtar, përfshirë krijimin e Ekipit të Përbashkët Hetimor me Administratën Tatimore dhe Policinë, si dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm me OLAF, që ka sjellë rezultate             konkrete në luftën kundër kontrabandës.
Rezultate të larta në mbrojtjen e pronësisë intelektuale (IPR) me sekuestrime të mallrave të falsifikuara me vlerë rreth 12 milionë euro, duke mbrojtur bizneset legjitime dhe konsumatorët.
Zbatimi i banderollave elektronike të akcizës për produktet e duhanit dhe pijet alkoolike, që kontribuon në kontroll më të mirë të tregut dhe rritje të të hyrave buxhetore.
Vendosja e themeleve për përdorimin e Inteligjencës Artificiale (AI) në sistemet e analizës së rrezikut dhe platformën e inteligjencës së biznesit, një hap i rëndësishëm drejt digjitalizimit të plotë të doganës.
Efikasiteti i Laboratorit Doganor të akredituar, që ndihmon në lehtësimin e tregtisë dhe sigurinë e produkteve.
Rekrutimi dhe integrimi i zyrtarëve të rinj doganorë, që ka përforcuar kapacitetet profesionale dhe efikasitetin organizativ të institucionit.
Vendosja e skanerëve per të promovuar përmirësimin e kontrollave dhe sherbimeve 
Pjesëmarrja aktive në programet e BE-së (Customs 2020) dhe forumet ndërkombëtare të Organizatës Botërore të Doganave, duke kontribuar në ngritjen e standardeve profesionale dhe përafrimin me praktikat më të mira të BE-së.

Në të njëjtën kohë, Komisioni Evropian ka dhënë disa rekomandime për vitin e ardhshëm, që përfshijnë:
- Fnalizimin e akteve nënligjore për Kodin e ri Doganor dhe të Akcizës;
- Forcimin e kapaciteteve profesionale dhe administrative sipas parimeve të meritës;
- Intensifikimin e luftës kundër kontrabandës në bashkëpunim me OLAF;
- Zhvillimin e sistemeve digjitale dhe miratimin e Strategjisë për Teknologjinë Informative;
- Heqjen e plotë të tarifave të mbetura për eksportuesit dhe importuesit.

Dogana mbetet plotësisht e përkushtuar në zbatimin e rekomandimeve të Komisionit Evropian dhe në avancimin e reformave që forcojnë integritetin, transparencën dhe efikasitetin në shërbim të qytetarëve dhe ekonomisë së Republikës së Kosovës.

LEXO MË SHUMË