Heqja e taksës për mallrat nga SHBA
Qeveria e Republikës së Kosovës në mbështetje të kompetencave të saja kushtetuese dhe ligjore, përmes vendimit Nr. 13/265 të datës 01.08.2025 ka vendosur heqjen e tarifës doganore për mallrat me origjinë preferenciale nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).
Ky vendim ndonëse përfaqëson një masë të njëanshme nga ana e Republikës se Kosovës, i cili qëllim primar ka lehtësimin e tregtisë me përfitime konkrete si për bizneset ashtu dhe për konsumatorët e vendit, është i një rëndësie të veçantë edhe sa i përket forcimit dhe avancimit të marrëdhënieve në sferën tregtare dhe ekonomike në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Vendimi për aplikimin e tatimit doganor me normë zero për mallrat e importuara me origjinë nga SHBA është i bazuar në Ligjim nr. 04/L-163 dhe në Kodin Doganor dhe të Akcizave Nr. 08/L-247, andaj mbi këtë bazë, mallrat të cilat importohen nga SHBA e të cilat plotësojnë kriteret e origjinës preferenciale, që nga data e hyrjes në fuqi të vendimit dhe publikimit të tij në gazetën zyrtare 01.08.2025 , mund të importohen në territorin doganor të Republikës së Kosovës pa pagesë të tarifës doganore.
Në mënyrë që këto mallra të përfitojnë nga ky trajtim favorizues, të njëjtat me rastin e importit duhet të shoqërohen me:
• Certifikatë të vlefshme të origjinës preferenciale të lëshuar nga autoritetet amerikane
• Deklarata për origjinën në faturë, në përputhje me ligjin në fuqi të të dyja vendeve.
Të gjitha mallrat e importuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga data 01.08.2025, të cilat përmbushin kriteret për t’u trajtuar si mallra me origjinë preferenciale, por që në momentin e importit nuk kanë përfituar këtë trajtim, do t’u nënshtrohen procedurave për rimbursim të detyrimeve doganore, në përputhje me dispozitat në fuqi.
Për më shume informacione rreth mënyrës së aplikimit të trajtimit preferencial dhe dokumentacionit të nevojshëm, të gjithë operatorët ekonomikë që importojnë mallra nga SHBA ftohen të kontaktojnë Doganën e Kosovës për udhëzime të mëtejshme.