Delegacioni i GIZ-it i udhëhequr nga Drejtoresha Ekzekutive, znj. Ingrid-Gabriela Hoven, viziton Doganën e Kosovës
Prizren/Vërmicë – Drejtori i Përgjithshëm i Doganës, z. Agron Llugaliu, pati kënaqësinë të mirëpresë një delegacion të nivelit të lartë nga Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, të udhëhequr nga Drejtoresha Menaxhuese e GIZ, znj. Ingrid-Gabriela Hoven, e shoqëruar nga Drejtori i Divizionit për Ballkanin Perëndimor, z. Daniel Passon, dhe Drejtori i GIZ për Kosovë, z. David Oberhuber, me bashkëpunëtorë. Takimi shpalosi bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet Doganës së Kosovës, rajonit dhe aktorëve ndërkombëtarë, me qëllim avancimin e modernizimit, efikasitetit dhe transparencës në operacionet doganore.
Drejtori Llugaliu prezantoi arritjet dhe reformat kryesore të ndërmarra ndër vite, duke vënë theksin në bashkëpunimin me GIZ-in gjerman. Përtej përkrahjes në agjendën e integrimeve evropiane, bashkëpunimi me GIZ-in për Doganën e Kosovës ka rezultuar ndjeshëm në përmirësimin e efikasitetit të organizatës në shumë dimensione.
Ndër kryesoret në bashkëpunim me GIZ-in kanë qenë reformat dhe zhvillimet në integrimin rajonal, ku GIZ-i ka përkrahur vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor për të avancuar dhe afruar praktikat dhe përdorimin e sistemeve të përbashkëta, me qëllim të avancimit edhe të integrimeve evropiane.
Me përkrahjen e GIZ-it, Dogana ka pasur zhvillime me rëndësi edhe në projektin e rekrutimit të gjeneratës së fundit të zyrtarëve doganorë, duke siguruar praktika të mira që ofrojnë garanci për përzgjedhje me meritokraci, me qëllim që të sigurojë transformim efikas të Doganës së Kosovës për t’u përballur me sfidat e së ardhmes.
GIZ-i ka ofruar gjithashtu përkrahje të rëndësishme edhe në lehtësirat tregtare, duke përfshirë fushën e Operatorëve Ekonomikë të Autorizuar, avancimin e sistemit për administrimin e dërgesave të shpejta, hartimin e legjislacionit doganor në harmoni me atë të BE-së, avancimin e sistemeve, përfshirë aplikimin e Inteligjencës Artificiale, ku Dogana e Kosovës, në sajë të studimit me ekspertin e ofruar nga projekti i BE-së dhe i implementuar nga GIZ-i, ka kryer prokurimin e një platforme të avancuar për menaxhimin e procesit me të dhëna, në të cilën përfshihet po ashtu Inteligjenca Artificiale. GIZ-i ka ndihmuar edhe në sigurimin e skanerëve, të ofruar si dhuratë nga Qeveria Gjermane dhe BE-ja, projekt ky i cili është në proces.
GIZ-i gjithashtu ka ndihmuar në zhvillimin e njësisë së specializuar të qenve nuhatës (K9), andaj, si pjesë e vizitës, delegacioni i GIZ-it vizitoi pikën e kalimit kufitar të Vërmicës, ku demonstroi njësia K9 – me ç’rast Drejtoresha Menaxhuese, znj. Hoven, u shpreh e lumtur me efikasitetin e bashkëpunimit, duke siguruar interes për bashkëpunim të mëtejshëm me qëllim që sukseset e arritura në Doganën e Kosovës të ndahen edhe me vendet e tjera ku GIZ-i ka shtrirje.