Përurohet pikëkalimi i përbashkët kufitar Hani i Elezit- Bllacë
Sot shënuam një ngjarje të rëndësishme për qytetarët e dy vendeve tona.
Qeveritë e Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut kanë dakorduar marrëveshjen dhe protokollin e bashkëpunimit që ka mundësuar ekipeve të doganave dhe policive kufitare të të dyja vendeve të vendosin një pikëkalim të përbashkët kufitar në Hani i Elezit – Bllacë, i bazuar në parimin e vetëm një kontrolli – atë në hyrje të shtetit pritës.
Ky model do të ndihmojë ndjeshëm qytetarët tanë që të kalojnë kufirin më lehtë dhe më shpejt, duke reduktuar kohën e pritjes dhe procedurat, ndërkohë që niveli i kontrollit mbetet i lartë falë integrimit të sistemeve tona teknologjike dhe shkëmbimit të të dhënave në kohë reale. Bashkëpunimi ndërmjet autoriteteve doganore dhe policore tashmë do të jetë edhe më efikas.
Në ceremoninë e përurimit, Kryeministrat e të dy vendeve, Ministrat e Punëve të Brendshme dhe Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, z. Izet Mexhiti, theksuan dobitë e shumta që sjell ky sistem i avancuar kufitar.
Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, z. Agron Llugaliu, gjatë kësaj vizite takoi homologun e tij, Drejtorin e Përgjithshëm të Doganës së Maqedonisë së Veriut, z. Boban Nikolovski, ku u ritheksua rëndësia e bashkëpunimit të ngushtë për zbatim të përbashkët të marrëveshjes dhe avancim të standardeve të shërbimit doganor.
Gjithashtu, z. Llugaliu shoqëroi Zëvendësministrin e Financave të Kosovës, z. Agon Dobruna, në takimin me Ministren e Financave të Maqedonisë së Veriut, znj. Gordana Dimitrieska-Koçoska, ku u theksua rëndësia e vazhdimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe përmirësimit të shërbimeve nëpërmjet shkëmbimit të përvojave dhe praktikave më të mira.