Import të përkohshëm

Rregullat dhe kushtet që zbatohen për automjetet me targa të huaja duke u mbështetur në legjislacionin doganor në fuqi.
Baza ligjore kryesore:
    • Kodi nr. 08/L-247 Doganor dhe i Akcizave
    • Neni 338 i Udhëzimit Administrativ nr. 11/2009 për dispozitat zbatuese të Kodit
    • Ligji nr. 08/L-253 për aderimin e Republikës së Kosovës në Konventën për Importin e Përkohshëm (neni 5 dhe neni 9, pika 2 e Shtojcës C)

1. Rregullat për hyrje dhe qëndrim afatshkurtër (vizitë e shkurtër)

Sipas legjislacionit në fuqi, automjetet e regjistruara jashtë Kosovës lejohen të hyjnë dhe të qëndrojnë në territorin e Republikës së Kosovës për përdorim privat, për një periudhë maksimale prej 6 muaj brenda një viti kalendarik, nëse:
    • Automjeti është në pronësi të një personi me vendbanim të zakonshëm jashtë Kosovës;
    • Automjeti është i regjistruar dhe i siguruar në mënyrë të rregullt në vendin e origjinës;
    • Ka policë sigurimi të vlefshme për territorin e Kosovës.
Gjatë kësaj periudhe:
    • Nuk kërkohet deklaratë doganore;
    • Përdoruesi duhet të jetë në gjendje të dëshmojë vendbanimin e tij të zakonshëm jashtë Kosovës, nëse kërkohet nga autoritetet kompetente.

2. Rregullat për qëndrim afatgjatë (mbetje në Kosovë më shumë se 6 muaj)

Në rast se një automjet me targa të huaja qëndron në Kosovë përtej afatit të lejuar, atëherë:
    • Automjeti duhet të paraqitet në Doganën e Kosovës për t'u trajtuar sipas një procedure të lejuar doganore, si:
          o Import i përkohshëm, sipas kushteve të UA 11/2009;
          o Lëshim në qarkullim të lirë (zhdoganim i plotë).
Këto procedura zhvillohen në përputhje me rregullat e Kodit Doganor dhe të Akcizave. Mosrespektimi i tyre ndëshkohet sipas ligjit në fuqi.