Bartja dhe ndërrimi i vendbanimit

Prona private e personave fizikë që transferojnë vendbanimin e zakonshëm në Republikën e Kosovës

Personat fizikë që transferojnë vendbanimin e tyre të zakonshëm nga një vend tjetër në Republikën e Kosovës mund të përfitojnë nga lirimi nga detyrimet e importit për pronën private, në pajtim me nenet 354 deri në 362 të Kodit Nr. 08/L-247 për Doganor dhe të Akcizave, nëse plotësohen kushtet e përcaktuara me legjislacionin në fuqi.

Kushtet kryesore për përfitimin nga lirimi janë:
    • personi të ketë pasur vendbanimin e tij të zakonshëm jashtë territorit doganor të Republikës së Kosovës për të paktën dymbëdhjetë (12) muaj;
    • prona private të ketë qenë në posedim dhe përdorim të personit për të paktën gjashtë (6) muaj para transferimit të vendbanimit;
    • prona të importohet për përdorim për të njëjtin qëllim në vendbanimin e ri në Republikën e Kosovës; dhe
    • të plotësohen kushtet dhe kufizimet e tjera të përcaktuara me legjislacionin doganor.

Lirimi nuk zbatohet për:
     produktet alkoolike;
     duhanin dhe produktet e tij;
     mjetet tregtare të transportit; dhe
     artikujt e përdorur për ushtrimin e një zeje ose profesioni, përveç rasteve të lejuara me legjislacionin përkatës.

Dokumentacioni i nevojshëm
Për realizimin e lirimit, personi duhet të paraqesë dokumentacionin dhe dëshmitë e nevojshme për verifikimin e përmbushjes së kushteve ligjore, përfshirë:
     dëshmi të lëshuar nga autoriteti kompetent i vendit të mëparshëm të vendbanimit, që vërteton çregjistrimin ose përfundimin e vendbanimit jashtë Republikës së Kosovës, si dhe dokumentacionin që dëshmon regjistrimin e vendbanimit në Republikën e Kosovës;
     dokumentacion që dëshmon se prona ka qenë në posedim dhe përdorim për të paktën gjashtë (6) muaj;
     për automjetin, lejen/librezën e qarkullimit ose dokument tjetër të vlefshëm që dëshmon posedimin dhe përdorimin e tij për të paktën gjashtë (6) muaj;
     listën ose specifikacionin e sendeve personale dhe shtëpiake që importohen në kuadër të lirimit; dhe
     çdo dokument ose dëshmi tjetër që mund të kërkohet nga Dogana për të verifikuar përmbushjen e kushteve për përfitimin e lirimit.

Automjetet e udhëtarëve
Përveç kushteve për përfitimin e lirimit doganor, automjetet duhet të plotësojnë kërkesat e legjislacionit në fuqi për importimin e automjeteve.
Nuk lejohet importimi i automjeteve më të vjetra se dhjetë (10) vjet ose që nuk plotësojnë së paku standardin Euro 4.
Për automjetet e udhëtarëve që lejohen të importohen dhe që plotësojnë kushtet për përfitimin e lirimit, lirimi zbatohet vetëm për detyrimin doganor, ndërsa akciza dhe TVSH-ja paguhen në pajtim me legjislacionin në fuqi.

Kufizimet pas përfitimit të lirimit
Brenda një periudhe prej dymbëdhjetë (12) muajsh nga data e lëshimit në qarkullim të lirë, prona private e liruar nga detyrimet e importit nuk mund të huazohet, të jepet si garanci, të jepet në shfrytëzim ose të bartet, me pagesë ose pa pagesë, pa e njoftuar paraprakisht Doganën, në pajtim me nenin 359 të Kodit Nr. 08/L-247 për Doganor dhe të Akcizave.