Sektori i Qendrës Kombëtare për Menaxhim të Kufirit

Sektori i Qendrës Kombëtare për Menaxhim të Kufirit (SQKMK) udhëhiqet nga udhëheqësi i sektorit me status doganor, i cili i përgjigjet Udhëheqësit të Departamentit Përkrahës të DOK. SQKMK është strukturë e cila buron nga Ligji për Kontrollin e Kufirit Shtetëror dhe Ligji për Bashkëpunim ndërmjet Autoriteteve të Përfshira në Menaxhimin e Integruar të Kufirit. Ka funksionin e koordinimit të aktiviteteve dhe operacioneve që dalin nga kërkesat e autoriteteve të përfshira në MIK, duke ofruar mbështetje, lehtësuar shkëmbimin e informatave dhe rritjen e integrimit ndërmjet autoriteteve të përfshira në fushën e menaxhimit të kufirit shtetëror. Ka për detyrë që nëpërmjet sistemit të fotografimit, regjistrimit dhe mbikëqyrjes përmes kamerave TVQM (CCTV) dhe lexuesit automatik të tabelave (ANPR), të monitorojë aktivitet në Pikat e Kalimit Kufitar (PKK), të informojë me kohë personat përgjegjës për aktivitetet e dyshimta në PKK dhe vijën e gjelbër/ kaltër dhe të bashkërendojë veprimet e autoriteteve të përfshira në kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit. Qëllimi primar i monitorimit të aktiviteteve nga QKMK, është që nëpërmjet kontrollimit të qarkullimit të personave, automjeteve dhe mallrave në PKK, të detektojë dhe parandalojë veprimet ilegale, trafikimin dhe kontrabandimin e mallrave të ndryshme dhe personave,  si  dhe  të  ndihmojë  në parandalimin dhe zbulimin e rasteve të mundshme të korrupsionit në PKK. Bashkëpunimi dhe bashkërendimi ndërmjet autoriteteve të MIK (Policia Kufitare, Dogana e Kosovës dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë), në Qendrën Kombëtare për Menaxhim Kufitar (QKMK), në të gjitha nivelet bazohet në ligj dhe aktet tjera nënligjore.