Sektori për Risk dhe Monitorim

Sektori për Risk dhe Monitorim (SRM) udhëhiqet nga udhëheqësi i sektorit me status doganor, që i përgjigjet Udhëheqësit të DOH. Zhvillon dhe zbaton sistemin e menaxhimit të riskut në Doganën e Kosovës. Me qëllim të ngritjes së efikasitetit nëpërmjet analizës së riskut shërben si balancë ndërmjet kontrolleve në njërën anë dhe lehtësirave tregtare në anën tjetër. SRM angazhohet në mbledhjen, analizën dhe shpërndarjen e produktit të analizës së riskut në fusha të ndryshme të punës, me prioritet në fushën e zhdoganimit. SRM përcakton kriteret e riskut në sistemin e automatizuar të kontrollit, kur kjo është e përshtatshme apo e dërgon në mënyrë të shkruar, duke përfshirë përshkrimin e riskut, nivelin e kontrollit dhe udhëzimet rekomanduese për veprim. Në Kuadër të cikli të riskut SRM monitoron dhe rishikon të gjitha aspektet e procesit të menaxhimit të riskut, përfshirë këtu performancën e kritereve dhe zbatimin e tyre dhe sipas vlerësimit aranzhon testim të riskut në fushat e risqeve që menaxhon.
SRM zbaton menaxhimin  e riskut përmes profileve të riskut me profile dinamike dhe statike për të mundësuar profile sa më azhure të riskut, në mënyrë që të ketë mbulueshmëri sa më të gjerë të trajtimit të rreziqeve të larta. Nga ky këndvështrim SRM do të menaxhojë me rreziqet përmes profileve statike dhe më afatgjata të instaluara në sistem, si dhe përmes profileve dinamike duke monitoruar deklarimet ‘live’ të dërgesave dhe duke shënjestëruar dërgesa të caktuara gjatë procesit të zhdoganimit, për të informuar njësitë operative për të ndërmarrë veprimet e nevojshme të kontrollit. SRM menaxhon  me sistemin e kamerave të instaluara në terminalet doganore, për të ndërmarrë veprimet mbështetëse të sigurimit se po zbatohen drejt profilet dhe parimet e menaxhimit të riskut në hapësirat e terminaleve, ku bëhet ekzaminimi i mallrave. Duke i shërbyer këtij qëllimi zyrtarët e angazhuar në këto aktivitete janë të obliguar, që po ashtu të vëzhgojnë dhe raportojnë çfarëdo sjellje joprofesionale/korruptive të mundshme nga cilido zyrtarë apo person i pranishëm në terminalet doganore.