SQ SR EN
Webmail
Stema e Kosovës Logo e Doganës
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve

DOGANA E KOSOVËS

Lajmet

Shënohet 6 vjetori i anëtarësimit të Doganës në OBD

Shënohet 6 vjetori i anëtarësimit të Doganës në OBD

Prishtinë 25 janar 2023 Dogana e Kosovës kremton përvjetorin e 6-të të anëtarësimit në Organizatën Botërore të Doganave, organizatë kjo e vetmja në botë që mbulon fushëveprimin e bashkëpunimit doganor mes 184 shteteve anëtare.

Që nga anëtarësimi në këtë organizatë, Dogana e Kosovës ka përfituar në shumë dimenzione, duke shkëmbyer informata doganore përmes sistemit të vetëm botëror me të gjitha shtetet e botës, bashkë-pjesëmarrje në operacione ndërkombëtare për zbulimin e informalitetit, luftimin e terrorizmit, shpëlarjes se parasë dhe tregtisë së jashtëligjshme në përgjithësi.

Dogana e Kosovës duke qenë e përkushtuar në fuqizimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe me theks në zhvillimin e mëtejmë, pas anëtarësimit në OBD ka aderuar në dy Konventat më të rëndësishme të OBD, për të iu mundësuar vendit adaptimin e procedurave dhe sistemeve më të avancuara unifikuara dhe harmonizuara, me qëllim modernizimin e mëtejmë të Doganës së Kosovës dhe krijimin e lehtësirave për tregtinë ndërkombëtare. Gjithashtu, Dogana e Kosovës tanimë ka të çertifikuar dy ekspert të akredituar nga OBD, të cilët po kontribuojnë duke ofruar trajnime të avancuara në çështje doganore në shumë Administrata tjera doganore në nivel botëror, ndërsa procesi për akreditime të reja po vazhdon edhe këtë vit. Në anën tjetër, Dogana e Kosovës paralelisht po kremton edhe 26 janarin, Ditën Ndërkombëtare të Doganave, e cila përkujton ditën kur u mbajt seanca inauguruese e Konventës për themelimin e Këshillit për Bashkëpunimin Doganor dhe e cila u përurua zyrtarisht në Bruksel më 26 janar 1952. Shtatëmbëdhjetë (17) vende evropiane morën pjesë në këtë seancë. Në 1994 KKK u riemërua në Organizata Botërore e Doganave dhe sot kjo organizatë ka 184 shtete anëtare. Në këtë datë të veçantë, OBD u mundëson shteteve anëtare dhe partnerëve në të gjithë botën që të vazhdojnë përkushtimin e tyre në realizimin e objektivave të Doganave të cilat janë të mandatuara dhe të pozicionuara në mënyrë unike në kufij për të luajtur një rol të spikatur në të gjithë zinxhirin e furnizimit ndërkombëtar, duke siguruar kështu një të ardhme të qëndrueshme, të sigurt dhe gjithëpërfshirëse për të ekonomitë dhe shoqërinë në përgjithësi.

Kapen barna të kontrabanduara

Kapen barna të kontrabanduara

Prishtinë 20 janar 2023 Njësitë e Doganës kanë realizuar një aksion në qytetin e Ferizajit ku edhe kanë arritur të gjejnë medikamente të kontrabanduara  në vlerë rreth 5000 euro.

Për herë të parë që nga lansimi i sistemeve elektronike (respektivisht e-dogana), Dogana ka pranuar informacion nga qytetarët e përgjegjshëm lidhur me parregullsitë potenciale. Zyrtarët doganor bazuar në informatat e pranuara përmes aplikacionit e-dogana për raportimin e parregullsive kanë organizuar një kontrolle në një Barnatore në Ferizaj dhe ketë rast është hasur në mallra të kontrabanduar në vlerë rreth 5,000.00 Euro. Gjithashtu në këtë lokacion është gjetur edhe një bunker i posaçërisht i ndërtuar për fshehjen e mallrave të kontrabanduara. Mallrat janë sekuestruar dhe ndaj palës janë iniciuar procedurat kundërvajtëse.

Dogana e Kosovës falënderon dhe inkurajon qytetarët që të bashkëpunojnë dhe te raportojnë të gjitha parregullsitë qe lidhen me veprimtarinë e Doganës përmes aplikacionit e-Dogana.

Dogana e Kosovës ka aplikacionin eDogana për pajisjet e mençura android dhe ios, i cili mundëson lajmërim të parregullsive dhe sjelljeve jo profesionale me komunikim të sigurt dhe gjithashtu ofron shërbime tjera me qëllim të shërbimit ndaj qytetarëve dhe komunitetit të prodhuesve dhe tregtisë në përgjithësi.

Video inqizimin mund ta gjeni në këtë link: https://fb.watch/iabbX6ulVe/

Të hyrat nga dogana 1 miliard e 531 milion euro gjatë vitit 2022

Të hyrat nga dogana 1 miliard e 531 milion euro gjatë vitit 2022

Prishtinë 6 Janar 2023 sot Dogana e Kosovës prezantoi raportin e vitit 2022 ku u theksua se viti 2022 përbën rekord në të hyra të inkasuara nga Dogana e Kosovës.

Konferenca u hap nga Drejtori i Përgjithshëm z. Agron Llugaliu që theksoi: ”Përtej sfidave të shumëfishta gjatë vitit 2022, Dogana e Kosovës ka performuar mirë në të gjitha fushat e përgjegjësisë. Në objektivin e mbledhjes së të hyrave për buxhetin e Republikës së Kosovës është tejkaluar projeksioni i rishikuar prej 1miliard e 447 milion € për 3%. Të hyrat e inkasuara në vitin 2022 janë  1 miliard e  531 milion €, apo 11.23% më shumë të hyra se në vitin 2021  ku ishin inkasuar 1 miliard e 377 milion €”

Vlera  e mallrave të importuar është 5,603 mld.€, apo 20% më shumë se vitin e kaluar kur vlera e mallit  në import ishte 4,649 miliard €. Ndërsa vlera e mallrave në eksport për këtë vit është 869.5 milion €. Rritja e gjithmbarshme krahasuar me vitin paraprak për nga vlera është  22 % më  shumë se në vitin 2021 ku vlera e mallrave në eksport ishte  712.8 milion €.

Lehtësimi i tregtisë vijon të jetë njëra ndër prioritetet e doganës, ku edhe gjate vitit 2022 është rritur trendi i aplikimit të lirimeve nga pagesa e taksave, lehtësimet e procedurave doganore e të cilat  zënë vend të rëndësishëm në planet strategjike të doganave në mbarë botën, duke u konsideruar jo vetem realizim i planit strategjik, por edhe dobi të shumëfishta nga aspekti kombëtar.

Zhdoganimi i plotë i mallrave në  Portin e Durresit dhe Porto Romano, licencimi i 2 Operatoreve të Autorizuar ekonomik, nënshkrimi i marrveshjes për njohjen e plumceve mes Doganës  së Kosoves dhe Doganes se Shqiperise, ffunksionalizimi i objektit të përbashkët me Maqedoninë e Veriut  në stacionin hekurudhor Hani i Elezit për ushtrimin e kontrolleve të përbashkëta etj janë vetëm disa veprimet e Doganës ne drejtim të lehtësimit të të bërit biznes.

Në fushën e aktiviteteve të zbatimit të ligjit, Dogana e Kosovës me qëllim së arritjes objektivave, mbrojtjes së shoqërisë dhe luftimit të krimit dhe kontrabandës ka ndërmarrë veprime konkrete dhe si rezultat ka arritur që të ketë suksese të konsiderueshme në terren ku indikatorët kryesor të performancës janë pozitiv krahasuar me vitin 2021. Dogana e Kosoves këtë vit ka treguar rezultate të medha edhe të zbulimi i mallrave të ndaluara të cilat nuk kanë ndikim të drejperdrejtë në taksa por efekti në mbrojtjen e shoqerisë është shumë i lartë, ku me veprimet e zyrtareve të Doganes janë zbuluar 83.6 kg substancë narkotike Heroinë, dhe si rezultat i informatës së Doganes së Kosoves, në Turqi janë ndaluar 108 kg narkotik Heroine të cilat dyshohet se kanë pasur destinacion Kosovën. Te aktivitetet e përbashketa me policinë jane zbuluar 10,000 bimë narkotike në vlere prej rreth  6 mln € dhe laboratori  i kultivimit të bimëve në vlerë prej afro 1.5 mln€, ndërkaq gjatë kontrollit të një dërgese me mallra në import janë zbuluar 70 kg narkotik.

Sekuestrohet alkohol në sasi prej 42000 mijë litra

Sekuestrohet alkohol në sasi prej 42000 mijë litra

Prishtinë 7 dhjetor 2022, Gjatë ditës së djeshme disa media kanë cituar postime me pretendime të rrejshme të një zyrtari të Qeverisë së Serbisë për gjoja veprime të njëanshme të Doganës së Kosovës me konfiskim të pijeve alkoholike, të prodhuara në mënyrë jo-legjitime.

Dogana e Kosovës njofton opinionin se ka realizuar një kontrollë rutinore tek një dyçan ku shiten pije alkoholike në fshatin Hoçë e Madhe (Komuna e Rahovecit). Zyrtarët kanë gjetur se përveç dyçanit personi përgjegjës operon edhe me veprimtarinë e prodhimit të pijeve alkoholike pa autorizim nga Dogana e Kosovës, veprim ky që është në kundërshtim me normat përkatëse të Kodit Doganor dhe Akcizave. Personi gjithashtu nuk ka të regjistruar aktivitetin as si biznes në Agjensionin për Regjistrimin e Bizneseve dhe rrjedhimisht nuk përfill kërkesat e raportimit të entit përkatës pêr mbikëqyrje të prodhimtarisë së verërave.

Duke qenë se natyra e këtij veprimi të dyshuar përbën vepër penale, Dogana ka njoftuar Prokurorin e Shtetit për veprimet e mëtejme. Gjatë kontrollit janë hasur produkte të gatshme me përmbajtje alkoholi në sasi prej rreth 42 mijë litra. Personi në fjalë ka vepruar krejtësishtë në shpërfillje të rregullimit ligjor dhe ka bërë dëm buxhetit në vlerë prej rreth 38 mijë euro vetëm për pjesën e detyrimeve për stokun e hasur gjatë kontrollit. Ky aktivitet afarist i paregjistruar që nuk i nënshtrohet as kontrollave sanitare e higjienike, përbën rrezik edhe për shëndetin e konsumatorit.

Në fshatin e njëjtë operojnë dy biznese të autorizuara për produkte të njëjta me pronar qytetar të Kosovës të etnisë serbe dhe paguajnë të gjitha detyrimet ligjore. Veprimi i bizneseve të paligjshme përbën konkurencë të padrejtë ndaj bizneseve të ligjshme.

Dogana e Kosovës ka zbatuar administrimin e kontrollit dhe procedurat adekuate në mirëkuptim të plotë me personin përgjegjës dhe nuk ka hasur në asnjë lloj pengese nga banorët lokal. Tërheqja e mallit të ndalur përkohësishtë kërkon kohë derisa të vendosen mallrat në mjete të përshtatshme transporti.

Dogana e Kosovës është institucion profesional i zbatimit të ligjit dhe trajton në mënyrë të barabartë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. 

Veprime të tilla kontrolli që rezultojnë në gjetje të proceseve të pa autorizuara prodhimi Dogana ka hasur edhe në qytete tjera, si në Gjakovë dhe madje ka bërë publike edhe rastin e rreth 15 mijë litra alkohol në Tetor të viti të kaluar. (Postimi gjendet në faaen e Doganës së Kosovës ne facebook).

Dogana e Kosovës do të mirëmbajë përgjegjësitë e veta në mbrojtjen e shoqërisë dhe kërkojmë që këtij qëllimi t’i shërbejnë të gjithë dhe që veprimet e sundimit të ligjit mos të cenohen, pasi në këtë mënyrë përveç mundësimit të veprimeve që shkaktojnë dëme buxhetit dhe konkurencës fer, rrezikohet edhe shëndeti i konsumatorve nga veprimtari prodhuese të pa mbikqyrura.

Video inqizimin mund ta gjeni ne FB të Doganës përmes linkut https://www.facebook.com/Dogana-e-Kosov%C3%ABs-307980995900665

Dogana mirëpret bashkëpunimin dhe lajmërimin e rasteve të kontrabandës dhe korrupsionit ne linjat e sigurta të komunikimit.

Përmes:  Aplikacioni në App store dhe Google play: eDogana

Fb: https://www.facebook.com/Dogana-e-Kosov%C3%ABs-307980995900665  

E-mail: info@dogana-ks.org Telefon: 080050095

Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës në panelin e The Economist

Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës në panelin e The Economist

Prishtinë 20 Nëntor 2022, Drejtori i Doganës së Kosovës Agron Llugaliu, gjatë javës së kaluar, ka mbajtur fjalim në panelin e Samitit Global për tregtinë e jashtëligjshme me ftesë të The Economist. Paneli në të cilin ka marrë pjesë zt. Llugaliu ka përmbledhur punimet e samitit kundër tregtisë së jashtëligjshme, me temën ‘2030 e tutje, vepro tani, mendo për të ardhmen’.

Në këtë panel kanë qenë pjesëmarrës edhe zt. Leszek Wiecziech (Shefi i programit të Rrjetit Kompakt Global të OKB-së në Poloni kundër korrupsionit), Sarah Branquinho (Presidente, Këshilli Botëror i Duty Free) dhe zt. Adam Czerniak (drejtor për hulumtim, Polityka Insight).

Në pjesën e tij zt. Llugaliu ka theksuar se çështja e tregtisë së paligjshme është komplekse ngase shkaktohet dhe ndikohet nga faktorë shumë dimensional, andaj edhe qasja e politikbërjes në lidhje me ekonominë e paligjshme duhet të bazohet mbi këndvështrime shumë dimensionale.

Duke u bazuar në hulumtimin e fundit të Organizatës Evropiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim dhe atij të The Economist, është e dukshme se prirjet e kriminelëve dhe mungesa e vetëdijes nga qytetarët, krahas vështirësive në efikasitet të sundimit të ligjit dhe ekzistimit të grupeve të krimit trans nacional, lejojnë që tregtia joligjore të zhvillohet në nivel global me shtrirje shqetësuese.

Zt. Llugaliu ka shpalosur më tej pikëpamjet për rëndësinë e theksuar që tregtia e kundërligjshme si fenomen të ketë adresim adekuat nga një qasje mbarë shoqërore edhe pse dihet se përgjegjësia kryesore bie mbi institucionet përkatëse. Hulumtimi i Organizatës Evropiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim me shtrije ne kontinentin e Evropes, Azisë dhe Afrikës ka gjetur se një pjesë e madhe e njerëzve janë të njohur me faktin se produktet që blejnë janë të furnizuara nga kanale të tregtisë së jashtëligjshme, andaj është e domosdoshme që të ketë përfshirje të të gjitha strukturave të shoqërisë në luftimin e tregtisë sē jashtëligjshme.

Zt. Llugaliu më tutje ka theksuar se rritja e rezultateve në Doganën e Kosovës gjatë vitit të kaluar dhe sivjet janë tregues për efikasitet të dukshëm në luftimin e tregtisë së kundërligjshme, kur kemi parasysh se trendi i të hyrave që kryesisht ka ndjekur rritjen ekonomike në vitet paraprake, vjet dhe sivjet përqindja e rritjes është gati trefish më e lartë se rritja vjetore ekonomike. Kjo do të thotë se krimi i organizuar gjatë vitit të kaluar potencialisht është privuar nga të hyrat nga kontrabanda dhe mashtrimet në shumë prej  200 milion euro të hyra, të cilat në fakt janë inkasuar nga shteti dhe ky është vetëm një nga treguesit e suksesit, pasi që rezultate të ngjashme janë regjistruar edhe nga vlera e mallrave të konfiskuara dhe penalizimi i shmangieve të identifikuara. 

Zt. Llugaliu po ashtu ka theksuar se presin efekte përkeqësimi në shkallë evropiane e më gjerë nga lufta në Ukrainë dhe pa qëndrueshmëritë e theksuara politike kudo, pasi që grupet e krimit të organizuar eksploatojnë lirshëm mbi resurset e shteteve dhe shoqërisë së cenueshme nga kaosi i pa qëndrueshmërive politike.

Duke u referuar mbi këto fakte zt. Llugaliu ka theksuar se pa marr parasysh se sa shqetësuese është tregtia e jashtëligjshme dhe dëmet që shkakton sot në shoqëri, ka vend për optimizëm nëse qasemi si shoqëri kundër këtij fenomeni që dëmton interesin shoqërorë në shumë dimensione. Për këtë qëllim duhet të ndërmirren projekte vetidjësuese, politika ndëshkimore serioze nga Gjykatat, reforma në proceset dhe mënyrën se si e bëjnë punën institucionet përgjegjëse. Si pikë konkrete zt. Llugaliu ka theksuar ngritjen e kapaciteteve bashkëkohore, duke u referuar veçmas në inteligjencën artificale si koncept shumë efikas në vlerat e shtuara në procesin analitik dhe të shënjestrimit të mallrave që përbëjnë risk për interesat financiare dhe të sigurisë së Kosovës.

Kapen mallra me vlerë rreth 18000 mijë euro

Kapen mallra me vlerë rreth 18000 mijë euro

Viti 12 nëntor 2022, Në regjionin e Vitisë, saktësisht në fshatin Sadovinë njësitet Antikontrabandë të Doganës së Kosovës kanë identifikuar një automjet transportues të dyshimtë dhe pasi kanë arritur ta ndalojnë kanë vërtetuar se ai automjet ishte duke transportuar malra të kontrabanduar si në vijim:

Ekrana për telefona të menqur

Iphone X, 11Pro, Xmax = 1110 copë
Samsung J6, A, M, S = 844

Vlera e këtij malli llogaritet të jetë 18,079.10 Euro dhe rasti është referuar tek hetimet për trajtim të metejë.

Dogana mirëpret bashkëpunimin dhe lajmërimin e rasteve të kontrabandës dhe korrupsionit ne linjat e sigurta të komunikimit.

Përmes:  Aplikacioni në App store dhe Google play: eDogana

Fb: https://www.facebook.com/Dogana-e-Kosov%C3%ABs-307980995900665  

E-mail: info@dogana-ks.org Telefon: 080050095

Kapen mallra me vlerë mbi 100.000 mijë euro

Kapen mallra me vlerë mbi 100.000 mijë euro

Prishtinë 5 nëntor 2022, Dogana e Kosovës gjatë ditës së djeshme ka zbuluar mallra kontrabandë me vlerë mbi 100 mijë Euro, në dy raste të ndara.

Rasti i parë ka ndodhur me një dërgesë në kontejner me mallra të deklaruara si produkte bujqësore, të cilat lirohen nga detyrimet tatimore, ndërsa që bazuar në bashkëpunimin e zyrtarëve doganor të Shqipërisë dhe Kosovës në Portin e Durrësit është hasur në gjenerator me fuqi prej 15 KW në sasi prej 50 copë dhe pompa uji në sasi prej 100 copë. Malli është ndaluar dhe është iniciuar procesi për ndjekje penale të personave përgjegjës.

Në rastin e dytë, Dogana bazuar në informata ka ushtruar një kontrollë në një ndërtesë në zonën industriale të Prishtinës, ku ka gjetur sasinë prej 866 litra pije me përmbajtje alkoolike, mç’rast malli është sekuestruar dhe është iniciuar ndjekja penale ndaj personit/ave përgjegjës.

Dogana e Kosovës ka rritur nivelin e kontrollave të bazuar në analiza dhe shkëmbim ndërkombëtarë të informacionit, si dhe bashkëpunimin me qytetarët dhe institucionet e Kosovës, e cila ka mundësuar që zbulimi i mallrave të kundërligjshme të dyfishohet në krahasim me vitin paraprak dhe të hyrat të rriten me përqindje mbi tre herë mbi normën e rritjes ekonomike. Dogana do të vazhdojë të zbatoj kontrolle të detajuara përfshirë kontrollet pas importit sipas autorizimeve ligjore, andaj apelojmë tek të gjithë tregtarët që të shmangin praktikat e kundërligjshme dhe të bashkëpunojnë me Doganën për të siguruar trajtim të barabartë ligjor, për ekonomi të shëndoshë të tregut. 

Dogana mirëpret bashkëpunimin dhe lajmërimin e rasteve të kontrabandës dhe korrupsionit ne linjat e sigurta të komunikimit.

Përmes:  Aplikacioni në App store dhe Google play: eDogana

Fb: https://www.facebook.com/Dogana-e-Kosov%C3%ABs-307980995900665  

E-mail: info@dogana-ks.org Telefon: 080050095

Dogana e Kosovës konfiskon pajisje për prodhimin e kriptovalutave

Dogana e Kosovës konfiskon pajisje për prodhimin e kriptovalutave

Prishtinë, 30 Tetor, 2022. Në fshatin Leshak / Komuna e Leposaviqit njësitet antikontrabandës të Doganës së Kosovës si dhe njësitet e Policisë së Kosovës me qëllim të zbatimit të ligjit, luftimit të kontrabandës dhe dukurive te tjera negative kanë organizuar një aksion të përbashket dhe me ketë rast është hasur në një objekt afarist në të cilin kishte pajisje për prodhim të kriptovalutave dhe pije të ndryshme jo-alkoholike dhe alkoholike.

Me këte rast janë konfiskuar këto mallra:

93 Kartela Grafike
8 Antminera
17 pllaka elektronike
17 furnizues me rrymë
400 litra pije alkoolike dhe jo alkoolike

Gjatë realizimit të këtij aksioni në afërsi është identifikuar dhe ndaluar edhe një automjet i dyshuar i cili ishte duke transportuar gjithashtu mallra të kontrabanduara nga Serbia. Të gjitha produktet janë konfiskuar si dhe ka filluar procedura kundervajtëse kundër personave tëe përfshirë.

Dogana e Kosovës në bashkëpunim me autoritetet kompetente do të vazhdojë të ushtroj kontrolla në kuadër të realizimit të detyrave dhe përgjegjësive të saj, me qëllimin e vetëm parandalimin e veprimtarive ilegale në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Dogana e Kosovës fton qytetarët të njoftojnë secilin rast të sjelljes jo etike të zyrtarëve doganor në numrin e telefonit 080050095.

Raporti i progresit pasqyron përparime në Doganën e Kosovës

Raporti i progresit pasqyron përparime në Doganën e Kosovës

Prishtinë, 23 Tetor, 2022. Raporti i fundit i progresit për Kosovën ka pasqyruar përparime të shumta në fusha të rëndësishme për Doganën e Kosovës.

Përtej sfidave të identifikuara ndër vite, raporti i fundit i Komisionit Evropian nuk ka identifikuar ndonjë sfidë të re. Përkundrazi, raporti ka gjetur progres të theksuar në fusha shumë të rëndësishme.

Përveç përfundimit se vështruar nga këndvështrimi i integrimeve në fushën e doganave, Kosova është mesatarisht e përgatitur, raporti ka gjetur se është bërë progres përgjatë periudhës raportuese, duke përmirësuar në vazhdimësi shkëmbimin sistematik elektronik të të dhënave të akcizës me doganat tjera.

Raporti thekson se Dogana e Kosovës gjatë periudhës raportuese së bashku me agjencionet e tjera të zbatimit të ligjit ka bërë përparim në luftimin e llojeve të ndryshme të kontrabandës, përfshirë këtu edhe parandalimin, shtypjen dhe ndjekjen e kontrabandës së narkotikëve, sikurse që është theksuar se ka rritje domethënëse në aktivitete të orientuara drejt luftimit të ekonomisë jo formale dhe evazionit fiskal, duke konkluduar se Dogana e Kosovës dhe agjencinë e tjera të zbatimit të ligjit bashkëpunojnë mirë për të luftuar informalitetin dhe mashtrimet doganore. Ndërkaq bazuar në aktivitetin e Doganës së Kosovës është arritur që të shkarkohen 10 zyrtar dhe të suspendohen 12 zyrtar tjerë.

Raporti ka theksuar si gjetje pozitive edhe nënshkrimin e marrëveshjes për programin ‘Doganat’, i cili mbështet bashkëpunimin ndërmjet autoriteteve doganore në BE, si dhe nënshkrimin e marrëveshjes për kontrollin e përbashkët në transportin në hekurudha me Doganën e Maqedonisë së Veriut. Edhe në fushën e lehtësirave raporti thekson si të rëndësishëm progresin për miratimin e pestë të operatorit ekonomik të Autorizuar.

Në lidhje me sfidat e adresuara ndër vite për pagesat për përdorimin e terminaleve, raporti ka adresuar progresin e bërë me hapjen e terminalit të parë publik, ndërsa që progresi i më vonshëm nuk është raportuar ende në raport dhe do të pasqyrohet në raportet e ardhshme.

Ngjashëm raporti pasqyron progresin në fushën e zbatimit të  masave doganore për mbrojtjen e të drejtave të Pronësisë Intelektuale, duke njohur progresin e bërë në fushën e inspektimeve kundër piraterisë dhe falsifikimit në krahasim me vitin 2020 ku ka pasur dukshëm më pak inspektime, kjo edhe për shkak të  pandemisë. Raporti gjithashtu e cekë se legjislacioni për masat e DPI dhe kontrollet e eksportit për mallrat kulturore është në përputhje me acqui të BE-së.

Tek kapitulli i krimit të organizuar, veç tjerash raporti thekson se Dogana e Kosovës ka performuar mirë dhe se Dogana së bashku me agjensionet tjera dhe institucionet e linjës po bashkëpunojnë mirë për luftimin e ekonomisë jo-formale dhe krimeve në fushën e doganës.

Ky vlerësim është i rëndësishëm për Doganën e Kosovës, pasi që konfirmon rezultatet dhe qasjen strategjike, ndërsa që Dogana mbetet e përkushtuar për të adresuar të gjitha sfidat e procesit integrues, por duke pasur referencë kryesore efikasitetin në misionin dhe përgjegjësinë që ka Dogana kundrejt qytetarëve dhe ekonomisë së vendit.

Dogana e Kosovës merr pjesë në Konferencën e Organizatës Botërore të Doganave për Teknologji në Mastriht të Holandës

Dogana e Kosovës merr pjesë në Konferencën e Organizatës Botërore të Doganave për Teknologji në Mastriht të Holandës

Prishtinë 20 tetor 2022, Drejtori i Përgjithshëm i Doganës zt. Agron Llugaliu me bashkëpunëtorë gjatë tri ditëve të fundit ka ndjekur punimet në Konferencën e Organizatës Botërore të Doganave për Teknologji në Mastriht të Holandës.

Konferenca ka ofruar mundësi për t’u informuar rreth teknologjive, sistemeve dhe praktikave të reja në fushën e Doganave. Konferenca në theks ka vënë shkëmbimin e informatave dhe përvojave në mes Doganave dhe Doganës me bizneset dhe qytetarët, për të mundësuar lehtësira dhe reduktim të kohës së zhdoganimit. Ngjashëm, theksi gjatë punimeve është vendosur mbi rëndësinë e aplikimit të Inteligjencës Artificiale (IA), koncept ky që vlerësohet si risi revolucionare në fushën e Doganave.

Përgatitjet për aplikimin e Inteligjencës Artificiale ka filluar edhe Dogana e Kosovës. Si rezultat i koordinimit me projektin e BE-së për Financat Publike, është angazhuar një ekspert, i cili ka filluar me vlerësimin e infrastrukturës dhe nevojave për ndërhyrje me qëllim të ndërtimit të kapacitetit të Inteligjencës Artificiale me përdorim të gjerë në sistemet e Doganave.

Konferenca ka shpalosur edhe shumë tema tjera të rëndësishme për doganat bashkëkohore, të cilat do t’i shërbejnë orientimit të agjendës së zhvillimit dhe modernizimit të Doganës së Kosovës.

Me qëllim të avancimit të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave dhe informatave, Drejtori zt. Llugaliu në kuadër të Konferencës ka takuar Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës Botërore të Doganave Dr. Kunio Mikurya, Drejtoren e Përgjithshme  të Doganës së Holandës znj. Nanette van Schelven, përfaqësuesin e Doganës së SHBA-së zt. Ian Saunders dhe shumë homologë tjerë, me të cilët ka ndarë synimet dhe vizionin për zhvillimet në Dogana dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar në këto dhe synime tjera.

Dogana e Kosovës është e përkushtuar që të ndërmerr të gjitha veprimet për avancim të mëtejmë të teknologjisë, në mënyrë që të ofroj qëndrueshmëri dhe zhvillim efikas të proceseve të punës, avancimit të shërbimit ndaj interesit ekonomik të vendit dhe mbrojtjes efikase të shoqërisë.

Konfiskohen 64.350 litra produkte të falsifikuara

Konfiskohen 64.350 litra produkte të falsifikuara

Prishtinë 18 tetor 2022, oficerët doganor pas dyshimeve fillestare se produkte e paraqitura per zhdoganim mund të jenë të falsifikuara kane ndermarr veprimet e nevojshme ligjore për verifikimin e tyre. Si rezultat është konfiskuar sasi e konsiderueshme, respektivisht 64.350 litra të produkti “Coca – Cola” të falsifikuar.

Dogana e Kosovës është e përkushtuar maksimalisht në luftimin e falsifikimit dhe piraterisë dhe si rezultat i zbatimit të të drejtave të pronësisë intelektuale, gjatë ekzaminimit të mallit në kufi është ndaluar malli me markën tregtare “Coca Cola” nën dyshimin se janë të falsifikuara. Pas konfirmimit të bartësit të së drejtës se mallrat e ndaluara janë të falsifikuara, Dogana e Kosovës ka konfiskuar mallrat në sasi prej 64350 litra, me markën tregtare “Coca Cola” dhe origjinë nga Iraku. Sipas dispozitave ligjore në fuqi malli i falsifikuar nuk lejohet të dal në qarkullim të lirë, andaj malli i konfiskuar do ti nënshtrohet procesit të asgjësimit.

Mallrat që shkelin të drejtën e pronësisë intelektuale (DPI), në të shumtën e rasteve paraqesin rrezik për shëndetin e qytetarëve dhe zbatimi efikas i të drejtave të pronësisë intelektuale ndikon pozitivisht edhe ne mbrojtjen e shëndetit dhe sigurinë publike.

Dogana e Kosovës në bashkëpunim me autoritetet kompetente do të vazhdojë të ushtroj kontrolla në kuadër të realizimit të detyrave dhe përgjegjësive të saj, me qëllimin e vetëm parandalimin e veprimtarive ilegale në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Dogana e Kosovës fton qytetarët të njoftojnë secilin rast të sjelljes jo etike të zyrtarëve doganor në numrin e telefonit 080050095.

Dogana e Kosovës kap mbi 1 ton duhan të kontrabanduar dhe parandalon evazionin fiskal mbi 50.000 mijë euro

Dogana e Kosovës kap mbi 1 ton duhan të kontrabanduar dhe parandalon evazionin fiskal mbi 50.000 mijë euro

Prishtinë 6 tetor 2022, Njësit e Doganës sot kanë konfiskuar mbi 1 ton duhan dhe cigare në një depo në regjionin e Prizrenit.

Pas një pune operative dhe hetimore sot pasdite njësit e Doganës kanë bastisur një depo të dyshuar për kontrabandë me duhan.  Pas bastisjes janë gjetur sasi të konsiderueshme të duhanit të grirë si dhe cigareve të paketuara për shitje.

Në këtë depo janë gjetur:

  1. 822 kg duhan i grirë
  2. 28 pako cigare (1 pako =10kg)
  3. Makinë pë grirjen e duhanit  (1 copë)

Tërë sasia është konfiskuar si dhe vlerësohet se po të arrinte në treg kjo sasi do të shkaktonte dëm mbi 50000 mijë euro. Hetime lidhur me këtë rast janë duke vazhduar. Dogana e Kosovës në bashkëpunim me autoritetet kompetente do të vazhdojë të ushtroj kontrolla në kuadër të realizimit të detyrave dhe përgjegjësive të saj, me qëllimin e vetëm parandalimin e veprimtarive ilegale në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Dogana e Kosovës fton qytetarët të njoftojnë secilin rast të sjelljes jo etike të zyrtarëve doganor në numrin e telefonit 080050095.