Kosova dhe Maqedonia e Veriut thellojnë bashkëpunimin doganor për lehtësimin e qarkullimit dhe forcimin e kontrolleve kufitare
25 gusht 2026 –Në Prishtinë u zhvillua takimi i Drejtorëve të Përgjithshëm të Administratave Doganore të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, me pjesëmarrjen e delegacioneve të të dyja administratave. Takimi, i udhëhequr nga Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, z. Agron Llugaliu, dhe Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Doganore të Maqedonisë së Veriut, z. Boban Nikolovski, u fokusua në forcimin e bashkëpunimit rajonal, lehtësimin e tregtisë dhe avancimin e administrimit modern doganor.
Një nga temat kryesore ishte bashkëpunimi në pikëkalimin kufitar Hani i Elezit, ku u diskutua mundësia e krijimit të një pikëkalimi të përbashkët, mbi parimet e kontrollit të integruar, me synim përshpejtimin e lëvizjes së mallrave dhe qytetarëve, si dhe reduktimin e kohës së pritjes dhe procedurave kufitare. U diskutua gjithashtu për avancimin e bashkëpunimit në pikëkalimin Glloboçicë dhe zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit operacional.
Delegacionet shkëmbyen përvoja lidhur me procesin e integrimit evropian, harmonizimin me Kodin Doganor të Bashkimit Evropian dhe zhvillimin e sistemeve moderne doganore. Vëmendje e veçantë iu kushtua tregtisë elektronike, deklaratave para mbërritjes dhe përfitimeve të tyre për operatorët ekonomikë.
Një pjesë e rëndësishme e takimit iu kushtua forcimit të bashkëpunimit në zbatimin e ligjit, përmes shkëmbimit të informacionit, të dhënave për mallrat me vlerë të lartë dhe deklarimeve të parasë në kufi, si dhe koordinimit të operacioneve të përbashkëta kundër kontrabandës në pikat kufitare dhe zonat e gjelbra. Bashkëpunimi ndërmjet dy administratave mbështetet në mekanizmat ekzistues të asistencës së ndërsjellë, përfshirë shkëmbimin elektronik të të dhënave dhe përdorimin e sistemit SEED.
Në përfundim, të dyja administratat konfirmuan përkushtimin për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit, shkëmbimin e përvojave dhe koordinimin e veprimeve, me synim lehtësimin e tregtisë së ligjshme, procedura më efikase dhe forcimin e luftës kundër kontrabandës dhe aktiviteteve të paligjshme.