Regjistrimi, kriteret për përfaqësuesin doganor
Ky njoftim ka për qëllim t'ju informojë rreth detyrimeve dhe procedurave të reja të vendosura në bazë të Kodit Doganor dhe të Akcizave Nr. 08/L-247 lidhur me përfaqësimin doganor.
1. Përfaqësimi Doganor:
- Çdo person ka të drejtë të caktojë një përfaqësues doganor për të vepruar në emër dhe për llogari të tij. Ky përfaqësim mund të jetë i drejtpërdrejtë, kur përfaqësuesi vepron në emër dhe për llogari të një personi tjetër, ose i tërthortë, kur përfaqësuesi vepron në emër të tij, por për llogari të një personi tjetër.
2. Kushtet për Përfaqësuesin Doganor:
- Përfaqësuesi doganor duhet të jetë i vendosur në territorin doganor të Republikës së Kosovës, përveç në raste të caktuara të përcaktuara me akt nënligjor. Dogana autorizon përfaqësuesin doganor që plotëson kushtet si regjistrimi i veprimtarisë biznesore, mungesa e detyrimeve doganore dhe tatimore të pa paguara, dhe integriteti profesional.
3. Licencimi dhe Kontrolli:
- Agjentët doganorë duhet të kenë përfunduar së paku shkollën e mesme dhe provimin profesional të organizuar nga Dogana. Në rast të mos përmbajtjes së kushteve të caktuara ose ushtrimit të veprimtarisë në mënyrë jo etike, Dogana mund të shfuqizojë autorizimin ose licencën e dhënë.
4. Deklarimi i Përfaqësimit:
- Kur përfaqësuesi doganor ndërmerr veprime në Doganë, ai duhet të deklarojë qartë që vepron për llogari të personit që përfaqëson dhe të specifikojë llojin e përfaqësimit. Nëse përfaqësuesi nuk bën këtë deklarim, ai konsiderohet se vepron në emër dhe për llogari të tij.
5. Rregullat Procedurale:
- Dogana mund t'i kërkojë përfaqësuesit doganor dëshmi për autorizimin e tij nga personi që përfaqëson. Në raste të veçanta, Dogana mund të mos kërkojë ofrimin e këtyre dëshmive, në përputhje me aktet nënligjore të miratuara.
Për më shumë informacion dhe për të lexuar në detaje dispozitat e Kodit Doganor dhe të Akcizave Nr. 08/L-247, ju lutemi referojuni këtij linku.