16/11/2016
Dogana gjatë këtij viti ka sekuestruar 392 aparate për lojëra të fatit si dhe ka shqiptuar gjoba mbi 310.000 mijë euro
Prishtinë 16 nëntor 2016 – Dogana e Kosovës gjatë muajit nëntor ’16 ka vazhduar aktivitetin ne terren me qëllim kontrollin e subjekteve që operojnë me lojëra fati. Gjatë nëntorit janë kryer kontrolle në disa lokacione të Kosovës. Në fokus të kontrollit kanë qenë qyteti i Prishtinës, Prizrenit dhe Podujevës. Si rezultat i këtyre kontrolleve janë hasur duke ushtruar veprimtari pa licence dymbëdhjetë (12) pika basti për te cilat janë lëshuar gjoba në shumë prej 20,160.00 €. Gjithashtu janë sekuestruar 11 aparate të pa licencuar që dyshohet se janë të kontrabanduar, pasi që palët nuk kanë arritur të prezantojnë ndonjë dokumentacion lidhur me prejardhjen e tyre. Gjatë kontrolleve në terren janë hasur duke operuar edhe lojëra të ndaluara me ligj në Republikën e Kosovës si Keno dhe Racing Dogs me ç’rast janë sekuestruar 9 pajisje përmes të cilave është zhvilluar ky aktivitet.
Aksionet e muajit nëntor tregojnë qartazi përkushtimin e Doganës që përmes kontrolleve dhe aktiviteteve tjera hetimore ka arritur të vendos kontroll të rreptë në tërë territorin e Kosovës derisa raporti i këtij viti tregon se Dogana deri tani ka sekuestruar pajisje si në vijim:
– 227 aparate te pa licencuar
– 165 pajisje për lojëra Keno dhe Racing Dogs
– 126 pika basti të pa licencuara.
Shuma e gjobave të shqiptuara arrin në 312.792.60 € kurse vlera e aparateve të sekuestruar llogaritet të jetë mbi 500.000.00 €
Menaxhmenti i Doganës së Kosovës është i vendosur në luftimin dhe hetimin e të gjitha rasteve të kontrabandës, korrupsionit dhe dukurive të tjera negative, prandaj edhe kërkojmë nga qytetarët që të thërrasin pasi duke ndihmuar doganën ndihmojnë në zhvillimin e vendit dhe krijimin e një të ardhme më të sigurt. Numrat për thirrje janë 0800 50 095 (pa pagesë), me mesazhe përmes 50 095 (pa pagesë) ose përmes postës elektronike në lajmro@dogana-ks.org.