
Shefi i Misionit të EULEX-it, Gabriele Meucci vizitoi Doganën e Kosovës
Lajme
26 June 2015
Shefi i Misionit të EULEX-it, Gabriele Meucci vizitoi Doganën e Kosovës
Prishtinë, 23 Qershor 2015 – Sot Doganën e Kosovës e vizitoi Shefi i EULEX-it zt.Gabriele Meucci i cili u prit nga Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës zt.Lulzim Rafuna me bashkëpunëtorë.
Gjatë takimit zt.Meucci u njoftua nga Drejtori i Përgjithshëm lidhur me progresin dhe të arritur e Doganës së Kosovës, me theks të veçantë në reformat e bëra në administratën doganore të cilat deri më sot kanë rezultuar me 6% më tepër të hyra krahasuar me vitin e kaluar edhe përkundër rënies në sasinë e importit (rreth 4%).
Zt. Rafuna poashtu e njoftoi zt.Meucci edhe me reformat e bëra në lehtësimin e qarkullimit të tregtisë legjitime, luftimin e evazionit fiskal, kontrabandës dhe korrupsionit, si dhe me disa projekte të cilat janë implementuar së fundi në Doganën e Kosovës dhe të cilat kanë për qëllim modernizimin e administratës dhe arritjen e standardeve të pranueshme në BE.
Në anën tjetër, zt.Meucci u shpreh i kënaqur me të arriturat e Doganës së Kosovës, njëherit duke falenderuar Drejtorin Rafuna për punën dhe përkushtimin e treguar në arritjen e objektivave në mbledhjen e të hyrave dhe modernizimin e Doganës, dhe shprehu gatishmërinë për të ofruar mbështetje të plotë dhe të vazhdueshme për zhvillimet e ardhshme në Doganën e Kosovës.
Në fund të takimit zt.Meucci vizitoi edhe dhomën e pranimit të deklaratave unike doganore si dhe qendrën e monitorimit të zhdoganimit të mallrave, ku për së afërmi u njoftua me procedurat e reja të punës dhe avansimet e bëra në Doganën e Kosovës.