Republika e Kosovës / Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve

Dogana e Kosovës

Telefoni për të raportuar
korrupsionin dhe kontrabandën

0800 500 95
Thirrje pa pagesë

Mallrat e importuara në rast Martese/Trashëgimi

MALLRAT E IMPORTUARA NË RAST MARTESE

Neni 11

1. Varësisht nga nenet 12 deri 15, paja dhe gjësendet e amvisërisë, qoftë të reja apo jo, që I përkasin një personi i cili transferon vendbanimin e tij nga një vend tjetër në Kosovë me rastin e
martesës së tij apo saj, do të lirohen nga detyrimet e importit.

2. Varësisht nga të njëjtat kushte, dhuratat që jepen zakonisht në rast martesë, të cilat pranohen nga personi që i plotëson kushtet e parapara në paragrafin 1, të dhuruara nga personat që kanë
vendbanimin e tyre në një vend tjetër, po ashtu do të lirohen nga detyrimet e importit. Megjithatë, vlera e secilës dhuratë të liruar nga detyrimet e importit nuk guxon të tejkalojë shumën prej
njëmijë (1000) €.
Neni 12

Lirimet e përmendura në nenin 11 mund t’iu lejohen vetëm personit:
a) Vendbanimi i përhershëm i të cilit ka qenë jashtë Kosovës për një periudhe të pandërprerë, prej së paku 12 muajsh.
Megjithatë, mund të lejohen përjashtime nga kjo rregull, me kusht që qëllimi i personit përkatës ka qenë qartë, që të banojë jashtë Kosovës për një periudhë të pandërprerë prej se paku 12 muajsh;
b) I cili paraqet dëshmi të martesës së tij.

Neni 13

Lirimi nuk lejohet për produkte alkooli, duhan apo produkte duhani.

Neni 14

1. Përveç rasteve të veçanta, lirimi lejohet vetëm për mallrat që janë vendosur për qarkullim të lirë:
a) jo me herët se dy muaj para datës së caktuar të martesës (në këtë rast lirimi varet nga depozitimi i një garancionit të përshtatshëm, formën dhe shumën e të cilit e cakton Dogana dhe
b) jo me vonë se katër muaj nga data e martesës.

2. Mallrat e përmendura në nenin 11 mund të lëshohen në qarkullim të lirë në disa dërgesa individuale brenda periudhës së përmendur në paragrafin 1 më sipër.

Neni 15

1.Mallrat që janë liruar nga detyrimet e importit sipas nenin 11 nuk guxojnë të huazohen, të jepen si garanci, të jepen në shfrytëzim apo të barten, qoftë me pagesë ose pa pagesë, brenda afatit prej 12 muajve nga data në të cilën është pranuar lëshimi i tyre për qarkullim të lirë, pa i njoftuar paraprakisht Dogana .

2. Çfarëdo huazimi, dhënie si garanci, dhënie në shfrytëzim apo bartje para skadimit të afatit të përmendur në paragrafin 1 shkakton pagesën e detyrimeve të importit për mallrat përkatëse, në
normën që i përgjigjet datës kur është bërë huazimi, dhënia si garanci, dhënia në shfrytëzim apo bartja e tillë, në bazë të llojit të mallrave dhe vlerës doganore të përcaktuar apo pranuar në atë
datë nga Dogana .

PRONA PRIVATE E FITUAR ME TRASHËGIMI

Neni 16

1.Varësisht nga nenet 17 deri ne 19, prona private e fituar me trashëgimi, nga një person fizik me vendbanim në Kosovë, do të lirohet nga detyrimet e importit.

2. Për qëllime të paragrafit 1, ‘prona private’ nënkupton tërë pronën e përmendur në nenin 1 (2) (a),që përben pronën e të ndjerit.

Neni 17

Lirimet nuk lejohen për:

a) Produkte të alkoolit;
b) Duhan dhe produkte të duhanit;
c) Mjete tregtare të transportit;
d) Artikuj që shfrytëzohen për ushtrimin e një zanati apo profesioni, të tjera nga instrumentet portabel të arteve të aplikuara apo liberale, të cilat i nevojiteshin të ndjerit për ushtrimin e zanatit
apo profesionit;
e) Stoqet e lëndës së parë dhe produktet finale apo gjysmë-produkte;
f) Bagëti dhe stoqe produktesh bujqësore që tejkalojnë sasitë që u përshtaten nevojave normale familjare.

Neni 18

1. Lirimi i lejohet vetëm për pronën private të vendosur në qarkullim të lirë, jo më vonë se dy vite nga data, në të cilën personit përkatës i bartet e drejta mbi pronën (marrëveshja përfundimtare
mbi trashëgiminë). Megjithatë, kjo periudhë mund të vazhdohet nga Dogana në raste të veçanta.

2. Prona private mund të importohet në disa dërgesa individuale brenda afatit të përmendur në paragrafin 1.

Neni 19

Nenet 16 deri në 18, zbatohen me ndryshimet e nevojshme për pronën private të fituar me trashëgimi nga personat ligjorë të angazhuar në aktivitete jo profitabile që janë vendosur në Kosovë.