Plani strategjik
Strategjia e DK-së, është dokument i cili prezanton situatën e përgjithshme, mekanizmat institucional, sfidat e tanishme, parimet themelore që ndërlidhen me udhëheqjen dinamike drejt modernizimit dhe qasjes proaktive për të siguruar qëndrueshmërinë e mbledhjes së të hyrave, për të lehtësuar tregtinë e ligjshme, për të mbrojtur shoqërinë dhe për të mirëmbajtur dhe avancuar tutje kapacitetet për një zhvillim afatgjatë
Objektivat Strategjike të Doganës së Kosovës, për vitet 2019-2023, janë në përputhshmëri të plotë me strategjinë dhe politikat zhvillimore të Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së Financave, për krijimin e një administrate moderne doganore, avancimin e një sistemi efikas të mbledhjes së të hyrave, lehtësimin e tregtisë legjitime dhe fuqizimin e kapaciteteve për mbrojtjen e shoqërisë.
Përmes këtij Plani Strategjik 2019-2023 si dhe Planit të Veprimit si pjesë integrale e saj, synohet të përcaktohet qartë rruga e Doganës Kosovës se ku do të arrijë ajo në fund të periudhës sa i përket: mbledhjes së të hyrave, luftimit të kontrabandës dhe ekonomisë informale, luftimit të korrupsionit brenda organizatës, standardit të shërbimeve për komunitetin e biznesit dhe publikun e gjerë, performancës operacionale, infrastrukturës dhe menaxhimit të burimeve njerëzore.
Synimi i kësaj strategjie, është që të krijohet një administratë e avancuar doganore e cila është në shërbim të qytetarëve, bizneseve dhe mbrojtjes së interesave të vendit tonë dhe me gjerë, prandaj funksionimi jonë duhet bazuar në parime demokratike të drejtësisë, llogaridhënies, transparencës dhe profesionalizmit, sepse kjo është qenësore për Doganën e Kosovës.