
Ndalohen Maunat e dyshuara
Lajme
11 June 2008
Ndalohen Maunat e dyshuara
Prishtinë, 27 maj – Më datë 21 maj 2008 në vendkalimin kufitar Hani i Elezit kanë hyrë tri mauna, të cilat janë deklaruar si ‘vaj hidraulik’ ose më saktësisht dokumentet e prezantuara në bazë të cilave importohej “vaj hidraulik ” (hidro oil 68), që tregonin nivele të sakta të sulfurit në përmbajtjen e tij. Të nesërmen më datë 22 maj 2008 agjencioni doganor i autorizuar ka paraqitur për zhdoganim tri maunat me vaj hidraulik. Pasi që kjo dërgesë vinte nga Irani është bërë edhe ekzaminimi fizik i mallit, ku fillimisht është skanuar me pajisjen X-ray.
Malli është ndaluar në Suharekë dhe është dërguar në terminalin doganor të Vërmicës deri në përfundimin e analizave, pas dyshimeve që u shafqën si pasojë e kundërmimit të lartë të atyre maunave. Malli ka qëndruar nën mbikëqyrje doganore në Vërmicë deri në ardhjen e analizave përfundimtare mbi përmbajtjen e atij malli. Analizat kanë vërtetuar se niveli i sulfurit në këtë vaj hidraulik është disa herë më i lartë se në dokumentacionin e paraqitur dhe parametrat e lejuar sipas rregulloreve në fuqi. Shërbimi Doganor menjëherë ka lajmëruar Departamentin e Emergjencave lidhur me ketë rast, kurse nga aspekti doganor ky mall i është nënshtruar ndalimit të menjëhershëm për deklarim të rrejshëm.
Gjatë mbajtjes së mallit nën mbikëqyrje doganore ka ardhur deri te helmimi i një oficeri doganor, tre policëve, tre agjentëve doganor dhe një zyrtar i bankës të cilët kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Pika kufitare e Vërmicës është mbyllur rreth orës 10:00 të ditës së sotme për shkak të frikës të ndonjë helmimi tjetër. Kjo pikë pritet të hapet përsëri, posa të largohen këto maunë nga terminali doganor.