Republika e Kosovës / Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve

Dogana e Kosovës

Telefoni për të raportuar
korrupsionin dhe kontrabandën

0800 500 95
Thirrje pa pagesë

Lajme

26 March 2014

KRYEMINISTRI I REPUBLIKËS SË KOSOVËS HASHIM THAÇI

Prishtine 26 mars 2014 – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga ministri i Financave, Besim Beqaj, sot ka vizituar Doganën e Kosovës, ku është pritur nga Drejtori I Përgjithshëm Lulzim Rafuna me bashkëpunëtorë. Në këtë vizitë kryeministri Thaçi u njoh nga afër me punën dhe funksionimin e këtij institucioni të rëndësishëm shtetëror.

Gjatë vizitës, Kryeministrit Thaçi oficerët e lartë doganorë i prezantuan projektin për fillimin e centralizimit dhe unifikimit të procedurave të vlerësimit të mallrave gjatë secilit import, procedurë kjo e filluar në vitin 2014, e cila ka rezultuar me rritjen e të hyrave për 12% më shumë se viti i kaluar. Ky është një projekt në kuadër të reformës në administratën e doganave dhe efikasitetit të tyre.

Pas takimit me oficerët doganorë të Kosovës, kryeministri Hashim Thaçi dhe Drejtori i Doganave, Lulzim Rafuna, u prononcuan për media:

Unë sot së bashku me ministrin e Financave vizituam oficerët doganorë. Jam këtu sot për të theksuar se misioni i ri me të cilin përballet Kosova sot, është ai i hapjes së vendeve të reja të punës, gjithashtu edhe i nxitjes së rritjes ekonomike.

Doganat kanë luajtur dhe do të luajnë një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në implementimin e këtij misioni.

Nëpërmjet arritjeve, rezultateve konkrete dhe më efektive që është duke shënuar Dogana e Kosovës, në veçanti në luftë kundër informalitetit, kontrabandës dhe korrupsionit, ju keni ndihmuar bizneset dinjitoze të Kosovës nga konkurrenca e pandershme.

Në këtë mënyrë, ju jeni duke i ndihmuar këto biznese që ato të zgjerohen, të konsolidohen dhe të hapin vende të reja të punës për të rinjtë kosovarë.

Për çdo investitor të huaj, por edhe prodhuesit tanë vendor, që eksportojnë mallra në vendet e Bashkimit Evropian, dogana paraqet administratën e parë me të cilën ata përballen. Prandaj, përmirësimi që keni bërë me punën tuaj i ka dhënë impakt të madh tërheqjes së investitorëve të huaj për të ardhur në Kosovë.

Ardhja e tyre në Kosovë, do të përkthehet në rritje edhe më të madhe ekonomike, në rritjen e ndjeshme të punësimit për të rinjtë kosovarë.

Për shtetin tonë, për zhvillimin ekonomik, është më e rëndësishme të vazhdojmë të kemi një administratë doganore të zhvilluar sipas standardeve evropiane.

Qeveria e Kosovës i ka sjellë të gjitha ligjet në përputhje me legjislacionin evropian, prandaj edhe implementimi i këtyre ligjeve do të jetë në përputhje me praktikat evropiane.

Në këtë mënyrë do të vijnë më lehtë edhe investitorët evropianë tek ne, dhe ekonomia do të integrohet më shumë në tregun evropian.

Unë, dua të përgëzoj doganën kosovare për reformën brenda administratës doganore. Kjo reformë e Doganës së Republikës së Kosovës është model për administratën doganore të vendeve të rajonit. Rezultatet e reformës tanimë janë të prekshme, falë përmirësimit të punës së doganave.

Të ardhurat e vitit 2013 kanë qenë 60 për qind më të larta se ato të vitit 2007/2008. Një administratë doganore e zhvilluar sipas standardeve evropiane është pasqyrë e shtetit tonë.

Gjithashtu sot nga drejtuesit e Doganës së Kosovës u informova se oficerëve doganorë të Republikës së Kosovës iu kanë krijuar kushtet, mundësitë shumë më të mira për punë, dhe sot të gjithë oficerët doganorë, rreth 600 sa janë, gëzojnë të ardhurat më të larta prej doganierëve në nivel të rajonit.

Qeveria e Kosovës do të përkrahë fuqishëm Doganën e Kosovës, gjithçka çka nevojitet, shteti do të jetë në mbështetje të tyre, dhe jam shumë mirënjohës për punën e shkëlqyer që po bëjnë të gjithë doganierët e Republikës së Kosovës.

Unë ju uroj i nderuari z. Drejtor, për punë tuaj, ekipit tuaj dhe çdo doganieri të Kosovës.

Gjithashtu u dakorduam që shumë shpejt do të fillojë ndërtimi i objektit të ri për Doganën e Kosovës dhe për Administratën Tatimore të Kosovës.

Nga ana e tij, drejtori i Doganave të Kosovës, Lulzim Rafuna, falënderoi kryeministrin Thaçi për vizitën.

“Mbështetja e kryeministrit të Qeverisës së Republikës së Kosovës për neve është motiv që të vazhdojmë me punën tonë” – theksoi z. Rafuna pas takimit me kryeministrin Thaçi.

Drejtori i Doganave të Kosovës, Lulzim Rafuna, në shenjë mirënjohje për mbështetjen e dhënë për Doganat e Kosovës, i dhuroi kryeministrit Thaçi logon e Doganës së Kosovës të gravuar, e cila është aprovuar në vitin 2008 nga kryeministri Thaçi, që ishte një ndër vendimet e para të marra nga ana e kryeministrit Hashim Thaçi.  

DSC04835.jpg