
KONFISKOHET RRETH 3500 LITRA ALKOOL PA BANDEROLA
Lajme
02 June 2010
KONFISKOHET RRETH 3500 LITRA ALKOOL PA BANDEROLA
Prishtinë, 02 Qershor 2010 – Sot Dogana e Kosovës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kanë kryer një aksion, në lagjen Kodra e trimave në Prishtinë, ky aksion është organizuar pasi dyshohet që në atë lokacion gjendeshin mallra të kontrabanduara nga Serbia, respektivisht alkool.
Pas dyshimeve fillestare se në këtë lokacion kishte mallrave të kontrabanduara Dogana e Kosovës dhe Policia e Kosovës, kanë bërë kontrollin e njërës shtëpi private në këtë lagje, me ç’rast kanë zbuluar pije alkoolike të llojeve të ndryshme, me origjinë nga Serbia, të cilat kanë qenë pa banderola, disa me banderola të Serbisë, por kishte edhe të pa etiketuara, që nuk dihej fare origjina e tyre. Gjatë këtij aksioni njësit e Doganës kanë konfiskuar sasi të konsiderueshme të Alkoolit pa banderola.
Sasia e zbuluar ishte rreth 3500 cope pije alkoolike (verë, rum, likere etj) me vlerë afro 10.000 €uro, kjo sasi menjëherë është konfiskuar nga Dogana dhe do të trajtohet konform dispozitave për mallrat e konfiskuara, kurse ndaj palës përgjegjëse në procedurë do të iniciohet kallëzim penal konform dispozitave të nenit 300 të Kodit Doganor dhe Akcizave në Kosovë.
Dogana iu bën thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës se nëse hasin në pije alkoolike pa banderola të Kosovës menjëherë të lajmërojnë në doganë apo institucionet tjera të zbatimit të ligjit.