
Këshilli Konsultativ MF, Doganë-ATK-Komunitet i Biznesit diskuton për lehtësira të tjera fiskale
Lajme
11 November 2015
Këshilli Konsultativ MF, Doganë-ATK-Komunitet i Biznesit diskuton për lehtësira të tjera fiskale
Prishtinë, 11 nëntor 2015 – Këshilli Konsultativ i përbërë nga Ministria e Financave, Dogana, Administrata Tatimore e Kosovës, Oda Ekonomike e Kosovës, Oda Ekonomike Amerikane dhe Aleanca Kosovare e Biznesit mbajti sot takimin e rregullt gjatë të cilit diskutoi për një sërë aktesh nënligjore dhe çështjesh të tjera në interes të komunitetit të biznesit.
Ministri i Financave Avdullah Hoti shprehu përkushtimin e institucionit që ai drejton në përmirësimin e mëtejmë të bazës rregullative dhe ligjore për të ofruar lehtësira të tjera për investitorët, me theks të veçantë në ofrimin e lehtësirave për kompanitë prodhuese përmes zgjerimit të listës së lëndëve të para të cilat do të lirohen nga detyrimet doganore. Ai tha se tashmë po vërehen efektet e para pozitive për bizneset nga lehtësirat e mundësuara me legjislacionin e ri tatimor, duke iu referuar këtu lirimit nga pagesa e TVSH-së për shumë lëndë të para.
Ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Administratës Tatimore të Kosovës Nahit Sharku njoftoi për procedurat në përpilimin UA për pushimet tatimore I cili së shpejti do të ndahet për komente me ministritë e tjera, por edhe me asociacionet e biznesit. ATK poashtu njoftoi edhe rreth 140 autorizimeve të lëshuara deri më tani për prodhuesit vendor për lirim nga detyrimet e TVSH-së për lëndë e para. Pavarësisht se numri i përfituesve duket të jetë solid në këtë periudhë të shkurtër të hyrjes në fuqi të Ligjit të ri, Këshilli u dakordua për të vazhduar me informimin e mëtejmë të bizneseve të tjera prodhuese të cilat do të mund të përfitonin nga këto lehtësira.
Ndërprerja e mandatit të Bordit të Pavarur për Rishqyrtime ishte një shqetësimi kryesor i tri asociacioneve të biznesit, bashkë me kërkesën për gjetjen e modaliteteve më të përshtatshme për krijimin e një mekanizmi të ri i cili do të shqyrtonte në mënyrë të pavarur ankesat e bizneseve ndaj vendimeve të ATK-së dhe Doganës. Ky shqetësim bëhet edhe më argumentues duke pasur parasysh edhe mosfunksionimin efikas të gjyqësorit në trajtimin e rasteve të natyrës fiskale. Për këtë Këshilli u dakordua që të autorizojë një grup ligjor të punës, i cili deri në takimin e radhës do të vijë me një propozim konkret mekanizmin në fjalë, i cili më vonë do të mund të përfshihej në ligjin e ardhshëm për Agjencinë e të Hyrave.
Drejtori i Përgjithshëm i Doganës Lulzim Rafuna informoi anëtarët e Këshillit rreth përgatitjes dhe miratimit të Udhëzimit Administrativ mbi Shpenzimet e Transportit, i cili pritet të hyjë në fuqi brenda pak ditësh. Në takim u njoftua se grupi punues ka marrë parasysh rreth 99% të komenteve të sektorit privat të shprehura ndaj draftit të këtij udhëzimi administrativ. Drejtori i Doganës poashtu njoftoi Këshillin për përgatitjen nga ana e Doganës të Udhëzimit Administrativ për Procedurat e Thjeshtëzuara, që përbënë një risi në tërë rajonin e Ballkanit, për shkak të eliminimit të procedurave burokratike gjatë importit të disa mallrave të caktuara që nuk janë mallra të ndjeshme. Ai ftoi tri asociacionet e biznesit të përfaqësuara në Këshill që të japin kontributin e tyre për finalizimin e këtij Udhëzimi.
Ndër temat e tjera të cilat u diskutuan në takimin Këshillit ishin edhe nevoja e nxjerrjes nga ana e MF-së të një kalendari të akcizave, nevoja për një fushatë informuese për bizneset lidhur me aspektet teknike të Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim, por edhe çështje të tjera që prekin punën e sektorit privat. Në këtë drejtim Dogana u zotua që pas ratifikimit përfundimtar të MSA-së, të fillojë një fushatë informuese për bizneset në të gjithë vendin.
Këshilli Konsultativ është organ këshillëdhënës i themeluar në vitin 2013 me qëllim të adresimit dhe trajtimit të çështjeve të natyrës fiskale me të cilat përballet sektori privat. Në vitin 2015, Këshilli kryesohet nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë.