
Intervista e ambasadorit Delawie me RTV 21
Lajme
25 August 2016
Intervista e ambasadorit Delawie me RTV 21
RTV 21: Të dashur teleshikues të RTV21, kemi kënaqësinë t’i dëshirojmë mirëseardhje Ambasadorit të SHBA-ve në Kosovë, Greg Delawie. Z. Ambasador, mirëseerdhët në RTV21.
Ambasadori Delawie: Faleminderit shumë Besiana. Është kënaqësi e madhe të jem këtu.
RTV 21: Të fillojmë ketë bisedë me zhvillimet e fundit në vend. Me çështjen për të cilën flitet më së shumti kohëve të fundit në vendin tonë dhe gjëtrat që u përmendën edhe nga zëvendëspresidenti i SHBA-ve gjatë vizitës së tij në Kosovë. Cilat mendoni ju se ishin mesazhet kryesore të zëvendëspresidentit gjatë vizitës në Kosovë?
Ambasadori Delawie: Zëvendëspresidenti Biden tha se Kosova nuk ka mik më të madh se Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai tha se ne jemi të përkushtuar për zhvillimin e Kosovës si një demokraci e begatë, paqësore dhe shumetnike në rrugë për integrimin Euroatlantik. Zëvendëspresidenti Biden po ashtu tha disa fjalë të ashpra për korrupsionin dhe nepotizmin dhe se si këto probleme të rënda të Kosovës e pengojnë popullin e Kosovës që të bëj realitet të ardhmen që e përfytyron. Ai bëri edhe disa komente të rëndësishme për marrëdhëniet e Kosovës me fqinjët e saj. Ai tha se marrëveshja që ju e përmendët për kufirin ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi duhet të ratifikohet. Ai foli për rëndësinë që Kosova të vazhdojë të punojë me Serbinë në marrëveshjet e dialogut të cilat po i sjellin të dy vendet më afër integrimit të plotë në Evropë. Dhe, mesazhi i tij i fundit ishte dënimi i dhunës dhe frikësimit që e kemi parë në Kosovë kohëve të fundit. Ai tha se këto nuk janë në përputhje me demokracinë moderne.
RTV 21: Megjithatë, Kuvendi i Kosovës e ka caktuar 1 shtatorin si ditë kur mendohet të ratifikohet marrëveshja për kufirin me Malin e Zi. Ndërkohë, tensionet ndërmjet partive janë ngritur dukshëm. Çka prisni ju? A duhet kjo marrëveshje të kalojë në seancën e Kuvendit me 1 shtator dhe çka do të ndodhë nëse marrëveshja nuk ratifikohet?
Ambasadori Delawie: Mendoj se është në interes të Kosovës që ajo të kalojë. Dhe shpresoj se do të kalojë! Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara për ketë çështje është mjaft i qartë. Komisioni për Demarkacionin e Kufirit ka përcaktuar të njëjtin kufi që është edhe në planin e Ahtisaarit; është i njëjti kufi që Kosova e kishte paraqitur në Institutin Euro-Gjeografik në vitin 2007 kur përgatitej për pavarësi; është i njëjti kufi me të cilin Kosova e ka shpallur pavarësinë në vitin 2008; dhe është i njëjti kufi që paraqitet në qindra mijëra flamuj gjithandej Kosovës.
Unë kam marrë pjesë në tryezën e rrumbullakët mbi demarkacionin e kufirit në Kuvend para disa javëve dhe kam dëgjuar të gjitha argumentet. Mendoj se ishte e qartë se ata që e kundërshtojnë marrëveshjen nuk kishin argumente valide kundër marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Kam lexuar disa interpretime të jashtëzakonshme të asaj që e ka thënë zëvendëspresidenti Biden për ketë çështje. Prandaj, e kam sjellë me vete tekstin e asaj që e ka thënë ai, vetëm që ta paraqes atë saktë. Natyrisht, kjo është edhe në faqen tonë të internetit. Zëvendëspresidenti Biden ka thënë se kjo marrëveshje “është marrëveshje e drejtë”. Këto ishin fjalët e sakta të tij. Që të mos ketë ndonjë keqkuptim, ai e përsëriti ketë edhe dy herë të tjera: “Është marrëveshje e drejtë, është marrëveshje e drejtë”.
Tani, në vendin tim kemi një thënie të shkëlqyeshme për atë se si “Një gënjeshtër mund të përshkojë gjysmën e botës para se e vërteta të jetë nisur fare.” Mendoj se shtrembërimet që i kemi dëgjuar për ketë marrëveshje për demarkacionin e kufirit kanë dëshmuar se kjo thënie është shumë e vërtetë. Po ashtu, më duhet të them se Qeveria e Kosovës ka bërë punë të dobët për të sqaruar se çka në të vërtetë është kjo marrëveshje, dhe çka ka nënkuptuar ajo kur ishte negociuar për herë të parë para një viti apo më shumë. Por, mungesa e sqarimit nuk do të thotë se marrëveshja është e gabuar.
Shumë prej atyre që e kundërshtojnë marrëveshjen nuk mërziten fare për faktet – ata janë të interesuar vetëm të përdorin ksenofobinë dhe nacionalizmin për të shkaktuar telashe dhe për të arritur deri te pushteti politik. Ata tashmë e kanë mundësinë që të udhëtojnë në BE sepse kanë pasaporta të huaja ose kanë viza Shengen dhe e dinë se pasojat e veprimeve të tyre do t’i bartin vetëm qytetarët e Kosovës e jo ata vetë. Po aq e rëndësishme sa rezultati në Kuvend dhe vota e 1 shtatorit do të jetë edhe mënyra se si zhvillohet votimi dhe mënyra se si zhvillohet debati. Dhuna e mëtejshme politike si gazi lotsjellës, bombat e dorës, dhe kërcënimet kundër deputetëve, vetëm se do ta largojnë Kosovën edhe më shumë Kosovën nga rruga e saj drejt integrimit në institucionet evropiane.
RTV 21: Z. Ambasador, ju besoni se kjo marrëveshje do të miratohet në seancën e 1 shtatorit, por çka nëse nuk ndodh kjo, nëse nuk e merr numrin e nevojshëm të votave?
Ambasadori Delawie: Gjëja e parë që ju mësojnë në një shkollë diplomatike është që të mos përgjigjeni në pyetjet hipotetike. Një gjë tjetër që është me rëndësi të dihet për diplomatët është se nuk duhet të futeni në profesionin e diplomacisë nëse nuk jeni optimist. Pra, unë do të jem optimist dhe do të them se mendoj se do të kalojë.
RTV 21: Si do tu përgjigjeshit zërave që këtyre ditëve thonë se ambasadorët e huaj në Kosovë nuk duhet të ndërhyjnë në procesin e demarkacionit dhe në proceset e tjera?
Ambasadori Delawie: Kosova është një shtet i lirë me liri të shprehjes. Unë kam ndër mend ta shfrytëzoj të drejtën time për liri të shprehjes që të paraqes qëndrimet e qeverisë sime dhe të shpreh shqetësimet e mija për atë që po ndodhë në Kosovë. Më duhet të sqaroj se kur i shpreh qëndrimet e mija për mesazhet e brendshme të Kosovës ose për çështje të brendshme, unë gjithmonë e bëj shumë të qartë se cilat janë qëllimet e mija: një vend i pavarur, demokratik, shumetnik, i begatë dhe paqësor si çdo vend tjetër në Evropë. Çdo gjë që e bën ambasada ime ka si synim arritjen e këtyre qëllimeve.
Mendoj se është me rëndësi të theksoj këtë sepse ka zëra të fuqishëm në këtë vend që janë kundër këtyre qëllimeve. Ata nuk i sqarojnë qëllimet e tyre me fjalë sepse e dinë se si do të kuptoheshin ato fjalë. Veprimet e tyre i bëjnë synimet e tyre shumë të qarta. Ata që kryejnë sulme me gaz lotsjellës, sulme me koktej Molotovi, që përdorin bomba ose granata, ose që kërcënojnë se do të vrasin kundërshtarët politikë, ata janë duke punuar që ta kthejnë Kosovën prapa në vitet e 90-ta, në kohën e izolimit, dhunës dhe varfërisë.
Unë habitem se si pas gjithë atyre vuajtjeve që kemi parë në Ballkan gjatë 25 viteve të fundit, disa politikanë në Kosovë ende besojnë se dhuna politike është mënyra e duhur për të arritur qëllimet politike. Unë nuk ja dëshiroj këtë Kosovës. Vendi im nuk ja dëshiron ketë Kosovës, dhe nuk mendoj se as shumica e qytetarëve të Kosovës duan që e ardhmja e tyre të përcaktohet nga dhuna politike.
RTV 21: Në fillim të intervistës ju theksuat se një prej mesazheve kryesore të zëvendëspresidentit Biden ishte lufta kundër korrupsionit. Ai tha se Kosova nuk mund të ecën përpara pa e luftuar seriozisht korrupsionin. A është ky nivel i korrupsionit vërtetë duke e mbytur Kosovën? Dhe si është e mundur të kemi një nivel të tillë të korrupsionit kur kemi parasysh gjithë atë ndihmë që Kosova e ka marrë në vazhdimësi nga bashkësia ndërkombëtare në fushën e sundimit të ligjit?
Ambasadori Delawie: Në çdo vend ka korrupsion, fatkeqësisht. Në vendin tim ka korrupsion. Do të doja të mos kishte. Zëvendëspresidenti Biden tha se korrupsioni është kancer dhe unë e di se njerëzit këtu janë të frustruar me mungesën e transparencës, me mungesën e rritjes ekonomik, dhe e dinë se një prej arsyeve kryesore për këto dështime është korrupsioni.
Kjo është arsyeja pse unë vazhdimisht flas për rëndësinë e adresimit të problemit të korrupsionit në Kosovë. Kjo është arsyeja pse ambasada ime ka programe të shumta që punojnë me degë të ndryshme të institucioneve të sundimit të ligjit këtu në Kosovë për të luftuar korrupsionin dhe për të përmirësuar sundimin e ligjit. Ne po ashtu jemi duke u përpjekur të mbështesim gjëra si plotësimin e vakumit në kodin penal që u ka mundësuar kriminelëve të dënuar të hyjnë e të dalin nga burgu pa ndonjë arsye të madhe.
Do të doja të kisha një shkop magjik që të mund ta përdorja për të hequr qafe korrupsionin në Kosovë. Por nuk e kam dhe nuk mund ta bëj ketë. Populli i Kosovës duhet të tregoj përkushtim dhe t’i mbajë zyrtarët e vet të zgjedhur dhe të emëruar në një standard të lartë. Kjo kërkon nga këta zyrtarë që të vënë interesat e vendit të tyre dhe të qytetarëve të tyre para interesave të tyre personale ose të partisë së tyre politike. Rasti “Stentat” ka qenë një shenjë shumë pozitive. Ai duhet të ndiqet në mënyrë agresive ngado që të çojnë dëshmitë. E pastaj duhet të ndiqen edhe rastet e tjera të ngjashme. Por, unë mendoj se është me rëndësi të theksohen lëvizjet pozitive përballë korrupsionit kur ato ndodhin.
RTV 21: Kohëve të fundit janë bërë publike disa biseda të përgjuara që dëshmojnë se zyrtarët e lartë të PDK-së i kontrollojnë institucionet shtetërore dhe procesin e punësimit brenda tyre? Si e shihni ju gjithë këtë?
Ambasadori Delawie: E kam përcjellë nga afër rastin Pronto 2. E kuptoj pse njerëzit janë të zemëruar dhe të frustruar nga këto biseda që ne të gjithë i kemi dëgjuar në internet. Unë sigurisht se nuk do të doja që zyrtarët e lartë të qeverisë sime të thonë gjëra të tilla. Ne i mbështesim institucionet e Kosovës që janë duke i shqyrtuar këto përgjime dhe presim që ato të lejohen të bëjnë punën e tyre në mënyrë të pavarur dhe pavarësisht çfarëdo presioni nga interesat e jashtme. Të jem i sinqertë, mënyra e vetme për të ecur përpara në çështje si këto është që njerëzit të shohin se ato trajtohen si duhet, në mënyrë profesionale, nga prokurorë profesionalë të cilët janë plotësisht imunë nga ndërhyrjet politike.
RTV 21: Nga bisedat e përgjuara mund të thuhet se kriteri për punësim në institucione dhe borde nuk është profesionalizmi por vetëm përkatësia politike. Kohëve të fundit, Mbretëria e Bashkuar ka nisur një projekt për punësim bazuar në kritere profesionale. Cilat janë pritjet tuaja?
Ambasadori Delawie: Dua të them menjëherë se e mbështes plotësisht projektin e Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar, jam shumë i lumtur që e shoh atë. Ketë vit kemi parë shumë shembuj se çka janë në gjendje të bëjnë qytetarët e Kosovës kur garojnë vetëm në bazë të meritës. Shembujt si Majlinda Kelmendi që fitoi medaljen e artë në Lojërat Olimpike në Rio, shembujt si filmi “Shok” që i mposhti më shumë se njëqind konkurrentë të fortë për tu bërë finalist për çmimin Oskar. Në garat e këtilla ndikimi politik nuk ju çon askund. Vetëm merita.
Ky parim i meritës duhet të zbatohet për emërime të larta në bordet qeveritare si dhe në vendet e punës në shërbimin civil. Qeveria e Kosovës vërtetë duhet të zotohet që tu mundësojë atyre që kanë aftësitë më të mira, aftësitë më të mëdha objektive dhe meritat më objektive, që të dalin në krye, dhe duhet të ndalojë praktikën e nepotizmit ose shfrytëzimit të përkatësisë politike për të plotësuar vendet jopolitike të punës në shërbimin civil.
RTV 21: A është ky një fakt se luftimi i korrupsionit duhet së pari të fillojë ndaj zyrtarëve më të lartë të shtetit? Si funksionon ky proces në Shtetet e Bashkuara të Amerikës?
Ambasadori Delawie: Mendoj se luftimi i korrupsionit duhet të bëhet në çdo nivel të qeverisë. Dhe ka gjëra, duke filluar nga qytetarë që paguajnë për dokumente personale, njerëz që aplikojnë për përfitime qeveritare të cilat vërtetë nuk i kanë merituar, ose zyrtarë të lartë që marrin ryshfet për kontrata. Të gjitha këto janë shembuj të korrupsionit dhe gjëra të cilave qeveria e Kosovës duhet t’u kundërvihet dhe t’i ndalojë. Njerëzit do fillojnë të kenë më shumë besim në gjyqësor dhe në prokurori në Kosovë kur të shohin arrestime dhe dënime për krimet që ata i shohin çdo ditë dhe që e dinë fare mirë se ato po ndodhin.
Sot e vizitova Shërbimin Doganor dhe isha shumë i kënaqur të shoh drejtuesit e Shërbimit Doganor duke përdorë mjetet e udhëheqjes, teknologjinë dhe duke qenë të përkushtuar ndaj shërbimit publik për të luftuar korrupsionin, si brenda shërbimit ashtu edhe ndaj njerëzve nga jashtë shërbimit që përpiqen të përfitojnë nga të mirat e Shërbimit Doganor. Shumica e njerëzve me siguri e dinë që Shërbimi Doganor mbledh shumicën dërrmuese të të hyrave që shteti i Kosovës i përdorë për rrugët, ose për policinë, ose për shëndetësinë, ose për çkado tjetër. Shërbimi Doganor është duke e bërë atë për të cilën unë flas tërë kohën, ai është një proces dyfazësh. E bëni të vështirë që dikush të korruptohet, dhe e ndëshkoni atë kur të korruptohet. Për ta bërë të vështirë korruptimin ata përdorin teknologjinë, përdorin teknikat e caktimit të lëndëve sipas rastit, vazhdimisht i lëvizin njerëzit nga një vend në tjetrin dhe e bëjnë korruptimin shumë të vështirë. Lidhur me ndëshkimin, ata kanë një program të fuqishëm për identifikimin dhe ndëshkimin e njerëzve që shpërdorin ligjet ose që shpërdorin rregullat e Shërbimit Doganor. Këso lloj gjërash duhet të zbatohen në tërë sistemin qeverisës të Kosovës, si në nivelin kombëtar ashtu edhe në atë komunal.
T’i kthehem pyetjes suaj për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ne patëm këtu një zyrtar nga Departamenti ynë i Drejtësisë, Sektori për Integritet Publik, i cili ishte në Dokufest para nja dy javësh. Unë u takova me të, ai është prokuror. Ai ishte i shkëlqyeshëm, ndoshta fjalimi e tij është i postuar në internet, shpresoj se po. Ai foli pak dhe ju përgjigj shumë pyetjeve nga audienca dhe biseda ishte fascinuese. Gjëja që më së shumti më ka lënë përshtypje, gjëja më e rëndësishme që duhet ditur është se prokurorët profesionistë duhet të jenë në gjendje të veprojnë dhe të bëjnë punën e tyre pa ndërhyrje të jashtme nga politikanët, nga publiku apo nga çkado qoftë. Ata duhet të jenë në gjendje të punojnë në mënyrë të pavarur dhe i takon qeverisë dhe qytetarëve të Kosovës që të sigurohen që prokurorët të kenë mundësi ta bëjnë ketë gjë.
RTV 21: A besoni që prokurorët e Kosovës kanë fuqinë dhe pavarësinë për inicimin e proceseve kundër zyrtarëve të lartë të shtetit?
Ambasadori Delawie: Përgjigja e shkurtë në pyetjen tuaj është po, ligjërisht ata e kanë fuqinë dhe pavarësinë të ndjekin penalisht zyrtarët e lartë shtetëror. Por, të pasurit e fuqisë në letër nuk do të thotë se nuk ka presione të jashtme që mund të ndikojnë në proces dhe kjo natyrisht se do të ishte gjë e keqe. Kjo është një prej arsyeve pse është kaq e vështirë të adresohet korrupsioni në çdo vend – presioni i jashtëm nuk mund të vërehet gjithmonë nga ju apo nga unë. Dhe nuk mjaftojnë vetëm prokurorët e pavarur nëse dëshmitarët frikësohen ose nëse i pandehuri e ka në xhep gjyqtarin që duhet të marrë vendimin. Kosovës i duhet një sistem ligjor që është profesional, që është i aftë dhe që ka vullnetin për të zbuluar korrupsionin dhe për të forcuar sundimin e ligjit, dhe për të siguruar që ligjet të zbatohen në mënyrë të barabartë dhe të drejtë.
Kur zëvendëspresidenti Biden ishte në Kosovë javën e kaluar ai e lexoi një citat nga biri i tij Beau Biden i cili kishte punuar në Kosovë para 15 viteve si jurist. Beau Biden kishte thënë: “Ne duhet të ndjekim një sistem ku secili do t’i nënshtrohet ligjeve të njëjta në të njëjtën kohë dhe ku do të ketë pasoja për shkeljen e atyre ligjeve pa përjashtim. Askush nuk është mbi ligjin, askush nuk është nën të.” Kjo është ajo për çka ne përpiqemi në Shtetet e Bashkuara dhe ne nuk jemi të përkryer në këtë, natyrisht, por mendoj se kjo është ajo çka çdo shtet që përpiqet të jetë demokraci duhet ta ketë si synim sa i përket korrupsionit. Çdokush duhet të jetë i barabartë para ligjit.
RTV 21: Kjo është pyetja e fundit Z. Ambasador. Cili është mesazhi juaj për qytetarët e Kosovës në këtë kohë të tensioneve dhe zhvillimeve më të fundit?
Ambasadori Delawie: Zëvendëspresidenti Biden kur ishte këtu para një jave tha se demokracia dhe pavarësia e Kosovës janë forcë për stabilitet në rajon. Natyrisht, unë duhet të pajtohem me shefin tim dhe dua të shtjellojë pak më shumë këtë pikë dhe të them se Kosova definitivisht mund të jetë shembull për tërë rajonin. Por saktësisht se çfarë shembulli do të jetë varet nga ajo se çka do të bëjnë qytetarët e Kosovës në muajt e ardhshëm. Nëse e ndjekin rrugën e demokracisë, vazhdojnë rrugëtimin drejt integrimit evropian dhe drejt të gjitha institucioneve evropiane. Megjithatë, nëse rritet dhuna politike mendoj se ajo rrezikon ta çojë Kosovën në humnerë, çka natyrisht do të ishte keq për qytetarët e Kosovës dhe për kombet e tjera në rajon. Mendoj se qytetarët dhe udhëheqësit e Kosovës kanë përgjegjësinë që të sigurojnë që të mos dëmtohen arritjet e konsiderueshme të deritanishme të Kosovës për përfitime afatshkurtra politike. Do të tërheq edhe njëherë vërejtjen: dhuna politike çon vetëm në teposhtëze, ajo nuk çon drejt të ardhmes evropiane të cilën e duan shumica dërrmuese e qytetarëve të Kosovës.
Ju faleminderit shumë.
Source: http://albanian.pristina.usembassy.gov/mobile/amb_int_sq_rtv21.html
