Republika e Kosovës / Ministria e financave

Dogana e Kosovës

Telefoni për të raportuar
korrupsionin dhe kontrabandën

0800 500 95
Thirrje pa pages

Lajme

05 mars 2014

DOGANA NUK APLIKON TAKSËN PREJ 40 EUROVE

Dogana e Kosovës njofton opinionin se raportimet lidhur me aplikimin e taksës prej 40 eurove, nuk janë të vërteta. Dogana e Kosovës nuk ka kompetenca ligjore për të shtuar ndonjë taksë, përveç taksave të cilat aprovohen nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës.   

Informatat e dhëna nga vozitësit e maunave në media lidhur me pretendimet për aplikimin e taksës janë të pavërteta, dhe po tentojnë të shfrytëzohen nga një grup i vogël i tregtarëve (importues nga Kosova) për qëllime të tyre.  

Dogana në bashkëpunim me Odën ekonomike të Kosovës, Aleancën e Biznesit dhe Odën Amerikane në Kosovë janë pajtuar kohë më parë që të ndërrojnë procedurat e thjeshtëzuara të importit, ashtu që të gjitha procedurat të jenë në përputhje me Kodin e Doganave dhe Akcizës dhe praktikave më të mira Evropiane. Prandaj edhe tani Dogana ka pezulluar sistemin e importit të thjeshtëzuar që ka qenë duke u shfrytëzuar nga këto kompani, deri në ri-licensimin e tyre  sipas udhëzimit administrativ i cili ka hyrë në fuqi në muajin  shkurt të këtij viti. 

Ky është një vendim i përbashkët,  i marr në Këshillin Konsultativ pranë Ministrisë së Financave, këshill që përbëhet nga Dogana e Kosovës, Administrata Tatimore e Kosovës, Oda Ekonomike e Kosovës, Oda Ekonomike Amerikane dhe Aleanca Kosovare e Biznesit

Dogana e Kosovës është e përkushtuar për rend dhe ligj duke krijuar konkurrencë të barabartë për të gjithë importuesit dhe mallrat që importohen në vendin tonë.

Dogana edhe një herë informon se nuk ka aplikim të ndonjë takse por vetëm pezullimi i procedurave të thjeshtëzuara deri në përfundimin e procesit të ri-licensimit nëpër të cilin do të kalojnë të gjithë aplikuesit.