
Dogana kap mbi 7 ton duhan të kontrabanduar
Lajme
19 May 2016
Dogana kap mbi 7 ton duhan të kontrabanduar
Prishtinë 19 maj 2016 – gjatë dy ditëve të fundit dogana ka realizuar një aksion rreth kapjes së një sasie të duhanit e cila është e kontrabanduar nga Maqedonia. Njësitet e doganës në rrugë operative kanë arritur deri tek lokacioni i dyshuar.
Aksioni kishte për qëllim kontrollimin e një ndërtese banimi në një fshat të Komunës së Vitisë me dyshimin se në objektet përcjellëse gjendeshin mallra të kontrabanduara.
Me urdhër të gjykatës njësitet e doganës të asistuara nga policia kanë filluar bastisje ku si rezultat i saj në këtë pronë janë gjetur sasi e konsiderueshme e duhanit për të cilin pala nuk ka poseduar asnjë dokument.
Me urdhër të prokurorit personi i cili është gjetur në posedim të këtij mall është arrestuar kurse tërë sasia e duhanit (saktësisht 7760 kg) është konfiskuar.
Menaxhmenti i Doganës së Kosovës është i vendosur në luftimin dhe hetimin e të gjitha rasteve të kontrabandës, korrupsionit dhe dukurive të tjera negative, prandaj edhe kërkojmë nga qytetarët që të thërrasin pasi duke ndihmuar doganën ndihmojnë në zhvillimin e vendit dhe krijimin e një të ardhme më të sigurt. Numrat për thirrje janë 0800 50 095 (pa pagesë), me mesazhe përmes 50 095 (pa pagesë) ose përmes postës elektronike në lajmro@dogana-ks.org.
