
Dogana fillon suksesshëm zbatimin e MSA -së
Lajme
04 April 2016
Dogana fillon suksesshëm zbatimin e MSA -së
Prishtinë 1 prill 2016 – Dogana e Kosovës sot ka filluar zyrtarisht implementimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit (MSA), ku Kryeministri Mustafa dorëzoi solemnisht dokumentin unik doganor të parin me taksa konform MSA-së. Në ceremoninë e organizuar morën pjese Kryeministri z. Mustafa, Ministri i Financave z. Hoti, Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë znj. Bajrami, zv. Ministri i Integrimeve z. Ilazi, përfaqësuesi special i BE në Kosovës z. Samuel Zbogar, përfaqësuesit e ambasadës së SHBA-ve si dhe përfaqësues të Odave Ekonomike dhe Klubi i Prodhuesve.
“Dogana e Kosovës që nga sot po kalon në një nivel me të lartë të avancimit si në aspekt të llogari-dhënies ndaj institucioneve të vendit tonë po ashtu edhe të profesionalizmit dhe integrimit Evropian. Me këtë marrëveshjes përveç pjesës implementuese në aspekt fiskal dhe mbrojtës të prodhimeve vendore dogana do të jetë edhe partner i bashkëpunimit Administrativ me Administratat e vendeve të Bashkimit Evropian ashtu siç e kërkon protokolli i IV-të i kësaj Marrëveshje, pra që nga sot ne do të kemi marrëveshje formale bashkëpunimi administrativ me 28 administrata doganore të BE-së” theksoi drejtori i përgjithshëm i doganës zt. Lulzim Rafuna.
Derisa në fjalimin e tij para të pranishmëve Kryeministri Mustafa theksoi “Sot për Republikën e Kosovës, shtetin tonë po fillon një kapitull i ri i zhvillimit. Sot Kosova po kalon në një fazë tjetër të zhvillimit politik, social dhe ekonomik. Në këtë moment edhe zyrtarisht po fillojmë me implementimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit. Një moment i shumë pritur me vite dhe do të jetë i shënuar në historinë e zhvillimit të Shtetit tonë. Marrëveshja e Stabilizim Asocimit brenda saj ka një agjendë të krijimit të një tregu të përbashkët të Kosovës dhe BE-së dhe të reformës që parasheh të mbulojnë fusha duke filluar nga dialogu politik, bashkëpunimi rajonal, lirinë e lëvizjes e mallrave, shërbimeve, punëtorëve dhe kapitalit. Kjo Marrëveshje synon të mbështesë tranzicionin ekonomik të Kosovës, si dhe të forcojë integrimin e saj në tregun e përbashkët të BE-së gjatë një periudhë kohore prej jo më shumë se 10 viteve që nga sot”.
Nga ana tjetër përfaqësuesi I komunitetit të biznesit njëherazi edhe kryetari I Odës Ekonomike të Kosovës z. Gërxhaliu theksoi se “Oda Ekonomike e Kosovës ka vlerësuar se nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit në mes të Unionit Evropian dhe Republikës së Kosovës. Sot kur po fillon edhe praktikisht me u realizuar kjo marrëveshje konsiderojë se kemi një ngjarje shumë të rëndësishme dhe kontribut të jashtëzakonshëm në krijimin e kushteve për të bërit biznes dhe për përshpejtimin e proceseve integruese edhe në rrafshin ekonomik. Edhe me këtë rast dëshiroj të përsërisë përcaktimin dhe vlerësimin se nënshkrimi dhe implementimi i MSA-së paraqet edhe një hap të rëndësishëm drejtë stabilitetit politik dhe perspektivës ekonomike dhe krijimin e kushteve të një ekonomie funksionale të tregut, që është përcaktim i strategjik dhe kushtetues i vendit tonë”
Gjithashtu sot në mënyrë ceremonial është bërë zhdoganimi i parë me tatim doganor të reduktuar konform Marrëveshjes së stabilizim asocimit, ky moment shënon fillimin e implementimit të MSA nga ana e shtetit të Kosovës.