30/08/2024
Ceremonia e 25-Vjetorit të themelimit të Doganës së Kosovës u përmbyll me sukses
Prishtinë, 30 gusht 2024 - Dogana e Kosovës përmbylli sot ceremoninë solemne të shënimit të 25-vjetorit të themelimit të saj. Kjo ngjarje shënoi një moment historik për Doganën, duke reflektuar mbi arritjet e saj gjatë këtyre 25 viteve në shërbim të vendit dhe qytetarëve të Kosovës. Dogana e Kosovës ka qenë një shtyllë e rëndësishme për sigurinë dhe stabilitetin ekonomik të vendit. Ky 25-vjetor është një dëshmi e përkushtimit tonë të palëkundur për t'i shërbyer Kosovës dhe qytetarëve të saj me profesionalizëm dhe integritet të lartë.
Dogana e Kosovës ka shërbyer qensishëm në funksionimjn dhe zhvillimin e shtetit tonë. Deri më tani Dogana ka mbledhur më shumë se 20 miliard euro të hyra për shtetin e Kosovës, ndërsa veprimet për mbrojtjen e shoqërisë nga parandalimi dhe zbulimi i mallrave të ndaluara dhe atyre të rrezikshme ka qenë po ashtu me rëndësi jetike. Ngjashëm edhe ndjekja dhe penalizimi i krimit të organizuar ka ndikuar dukshëm në krijimin dhe mirëmbajtjen e një ambienti të sigurtë në Kosovë dhe më gjerë.
Ceremonia u nderua me pjesëmarrjen e lartë të Ministrave zt. Hekuran Murati, Znj. Rozeta Hajdari, zt. Nenad Rasic, Ambasadori i Britanisë së madhe zt. Jonathan Hargreaves, përfaqësues të institucioneve, komunitetit të biznesit dhe zyrës së BE-së.
Në një fjalë rasti Drejtori i Doganës së Kosovës, z. Agron Llugaliu shprehu krenarinë e tij për arritjet e institucionit duke nënvizuar:
"Ky përvjetor është një dëshmi e përkushtimit dhe qëndresës së të gjithë atyre që kanë shërbyer në Doganën e Kosovës gjatë këtyre 25 viteve. Pavarësisht sfidave që kemi përballuar, ne kemi dalë më të fortë, më efikas dhe më të përkushtuar për të mbrojtur interesat e vendit tonë. Suksesi ynë ndahet me çdo qytetar të Kosovës, sepse për ta kemi punuar pa ndalur për të mbrojtur sundimin e ligjit dhe për të siguruar mirëqenien e shoqërisë sonë."
Më tej, Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, në letrën e tij dërguar me rastin e 25 vjetorit të Doganës së Kosovës, theksoi rëndësinë e këtij institucioni si një komponent kyç për zhvillimin e vendit, duke e quajtur Doganën katalizator të krijimit dhe forcimit të shtetit tonë. Kryeministri vlerësoi përkushtimin në luftën kundër korrupsionit, thjeshtëzimin e procedurave doganore dhe angazhimin e palodhur të punonjësve të Doganës, të cilat kanë bërë të mundur arritjen e një rekordi historik në mbledhjen e të hyrave për shtatë mujorin e parë të këtij viti. Ai përmendi gjithashtu përpjekjet për vendosjen e ligjit në veri të Kosovës dhe rëndësinë e përkujdesjes për të ardhmen e Doganës, duke përfunduar me zotimin e tij për të vijuar me përkrahjen e parezervë ndaj Doganës së Kosovës.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, z. Hekuran Murati, në fjalën e tij, u shpreh se qeveria njeh sfidat përmes të cilave ka kaluar Dogana e Kosovës dhe se kanë punuar fort për ta mbështetur atë në misionin e saj. Ministri falënderoi Drejtorin e Përgjithshëm dhe stafin e Doganës për arritjet e jashtëzakonshme, duke theksuar rëndësinë që qeveria i jep lehtësirave tregtare, veçanërisht për prodhuesit vendorë. Ministri gjithashtu falenderoj stafin e Doganës së Kosovës për angazhimet e rëndësishme në vendosjen e rendit dhe kigjit në veriun e Kosovës, si dhe shprehu gjithashtu përkushtimin për të mbështetur Doganën në objektivat e saj për përparim dhe zhvillim të mëtejshëm.
Gjatë ceremonisë u transmetua një prezantim i veçantë që përmbledhte momentet kyçe të historisë së Doganës së Kosovës, sfidat e kaluara dhe sukseset e arritura, i cili nxori në pah transformimin dhe përparimin e institucionit ndër vite.
Në fund të ceremonisë, të ftuarit patën mundësinë të shkëmbejnë mendime dhe përvoja gjatë një kokteji rasti, duke forcuar më tej bashkëpunimin dhe partneritetet për të ardhmen.
Dogana e Kosovës shpreh mirënjohjen e saj ndaj Qeverisë së Republikës së Kosovës për përkrahjen e pa rezervë, institucioneve të zbatimit të ligjit dhe partnerët ndërkombëtarë, në veçanti Ambasadat e SHBA dhe Britanisë së Madhe, Zyrën e BE-së dhe vendet tjera të BE-së dhe synon që bashkëpunimin dhe shkëmbimet në të mirë të misionit të saj t’i sforcoj në të ardhmen.