NËNSHKRUHET MEMORANDUMI NDËRMJET DOGANËS, POLICISË
Në prani të Ministrit të Ekonomisë dhe Financave, z. Ahmet Shala dhe Ministrit të Punëve të Brendshme, z. Zenun Pajaziti, sot u bë nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit trepalësh, ndërmjet Administratës Tatimorë të Kosovës, Policisë së Kosovës dhe Doganave të Kosovës.
Pas nënshkrimit të Memorandumit Ministri i MEF, z. Ahmet Shala , tha se “ Me këtë nënshkrim kurorëzohet objektivi ynë i kahershëm për të shkëmbyer të gjitha informacionet dhe për të bashkëpunuar ngushtë në luftën kundër informalitetit dhe në funksionimin e shtetit të Kosovës, me qëllim që të gjithë qytetarët të vetëdijesohen për obligimet e tyre ligjore që kanë për pagimin e taksave dhe zbatimin e ligjeve në çdo aspekt të jetës”. Ai më tej shtoi se “Të tri institucionet bashkërisht do të punojnë në mbledhjen e taksave qoftë në kufi a po brenda kufirit, duke luftuar në çdo aspekt anashkalimin dhe mosrespektimin e ligjeve dhe procedurave ligjore nga taksapaguesit”.
Ndërsa Ministri, z. Zenun Pajaziti, u shpreh se “Nënshkrimi i këtij memorandumi është aktivitet normal në frymën e koordinimit më të mirë të këtyre institucioneve”. Gjithashtu ai shtoi se “Ky bashkëpunim është në frymën e rekomandimeve të bëra nga raporti i progresit i Bashkimit Evropian dhe për këtë ne do të vazhdojmë të punojmë në aktivitete, të cilat dalin si sfida para nesh, për sa i përket forcimit të efikasitetit të doganave në përgjithësi dhe menaxhimit te integruar te kufirin në fushën e sigurisë”.
Me këtë rast u bë edhe përurimi i Qendrës Nacionale të Kontrollit te Kufijve, ku Qendra Operative e Doganës se Kosovës është shndërruar në Qendrën Nacionale të Kontrollit të Kufijve, në të cilën do të punojnë bashkërisht Dogana, Policia, dhe Agjensioni i Ushqimeve të Kosovës, për zbatimin praktik të Menaxhimit te integruar të Kufijve.